Lidhje

Nju Jork Tajms mbështet kandidatin demokrat Barak Obama


Një gazetë tjetër e rëndësishme amerikane ka mbështetur kandidatin demokrat Barak Obama për president.

Në një artikull redaksional të publikuar në numrin e saj të sotëm, Nju Jork Tajms e vlerëson senatorin e Ilinoit për karakterin dhe intelektin e tij. Kjo gazetë shkruan gjithashtu se zoti Obama ka gjithashtu një “qëndrim të qetë dhe të qëndrueshëm” për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara larg asaj që gazeta e cilëson si udhëheqje e dështuar e Presidentit Xhorxh Bush.

Artikulli redaksional shkruan se senatori Obama ka aftësinë të krijojë një konsensus të gjerë, i nevojshëm për të zgjidhur problemet e vendit.

Ndërkohë, gazeta Nju Jork Tajms kritikon kandidatin republikan, Xhon Mekein, se po shkon gjithnjë e më tepër në ekstremet e politikave amerikane. Gazeta kritikon gjithashtu senatorin nga Arizona për zgjedhjen e guvernatores së Alaskës, Sarah Palin, si kandidate për nën-presidete, duke e cilësuar atë një veprim oportunist dhe pasqyrim i një gjykimi të gabuar.

Edhe një numër gazetash të tjera, përfshirë Uashington Post dhe Los Anxhelos Tajms kanë mbështetur senatorin Obama. (ze)

XS
SM
MD
LG