Lidhje

Ndikimi i fondeve tek fushata presidenciale


Fushata presidenciale e Barak Obamës mblodhi një rekord prej 150 milion dollarësh në shtator, duke i dhënë atij një avantazh të madh ndaj rivalit Xhon Mekejn. I emëruari demokrat po i përdor paratë e tij për të blerë reklama televizive dhe radiofonike në shtetet me diferencë të ngushtë, si dhe në ato që kanë qenë tradicionalisht republikane si Indiana, Nevada, Karolina e Veriut, Virxhinia dhe Virxhinia Perëndimore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sindi Sein i hedh një vështrim rolit që luajnë fondet në fushatën presidenciale.

Barak Obama u bë kandidati i parë i një partie të madhe që nuk pranoi sistemin e financimit publik për fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme, duke u tërhequr nga një premtim i mëparshëm, se do ta bënte këtë. Kjo e lejon kandidatin demokrat të mbledhë shuma të pakufizuara parash nga donacionet private.

Kandidati republikan Xhon Mekejn zgjodhi fondet publike dhe është kufizuar tani në shpenzimin e 84 milion dollarëve të marra nga sistemi i financimit publik gjatë dy muajve të fundit të fushatës.

Fushata e zotit Obama ka mbledhur një shumë të paprecedent, prej 600 milion dollarësh gjatë fushatës, e cila është pothuajse sa shuma që mblodhën të dy kandidatët Xhorxh Bush dhe Xhon Keri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. Duke folur në programin televiziv Fox News të dielën, senatori Mekejn tha se këto lloj shpenzimesh pa kufi të fushatës janë shqetësuese.

“Ajo që më shqetëson janë zgjedhjet në të ardhmen. Jo vetëm këtë herë, megjithëse unë shqetësohem për zgjedhjen time këtë herë më shumë për momentin, por çfarë do të ndodhë herën tjetër? Çfarë do të ndodhë pas katër vjetësh? Veçanërish kur ke një president që kandidon për herë të dytë dhe nuk i përmbahesh financimeve publike, gjë që çoi edhe në skandalin e Uotërgejtit.”

Zoti Mekejn e kritikoi zotin Obama se nuk po i përmbahej premtimit të tij për të pranuar fonde publike. Fushata e zotit Obama thotë se ka krijuar një sistem paralel financimi të vetën, ku më shumë se 3 milionë individë kontribuojnë në fushatën e tij, shumica e tyre duke dhënë shuma të vogla përmes internetit. Zyrtarët e fushatës thonë se donacioni mesatar në shtator ishte nën 100 dollarë.

Avantazhi financiar i zotit Obama ka bërë që mesazhi i zotit Mekejn të humbasë në rrjedhën e reklamave televizive, radiofonike dhe të internetit. Senatori Obama po bën reklama madje edhe në lojërat elektronike.

Evan Trejsi është president i Grupit të Fushatës për Analizimin e Medias, një firmë private e cila u siguron klientëve të saj informacione mbi reklamat politike. Zoti Trejsi thotë se ai nuk ka parë asnjëherë diçka të ngjashme me suksesin e zotit Obama dhe një dominim të tillë në media.

“Për shikuesin e rastit, ose personin që fillon të dëgjojë për garën vetëm se e di që do të votojë pas dy javësh, ajo çfarë sheh në shumicën e shteteve më të rëndësishme për garën, janë reklamat e Obamës në televizion, dhe dëgjon reklamat e Obamës në radio. Kjo i jep një avantazh zotit Obama i cili mbulon median e paguar, pra aspektin e reklamimit në këtë garë, dhe e bën më të vështirë për zotin Mekejn të japë një mesazh që mund të ketë ndikim.”

Kandidatët përdorin edhe paratë e tyre të fushatave për të hapur zyra në shtetet ku gara është më e fortë, për të bërë regjistrimin e votuesve dhe për të nxitur pjesëmarrjen e votuesve përmes punonjësve me pagesë në terren. Zoti Obama ka blerë gjithashtu 30 minuta në kohën më të shikuar dhe në rrjetet televizive më të ndjekura për t’iu drejtuar votuesve amerikanë në javën para zgjedhjeve. //bsa//

XS
SM
MD
LG