Indekset e bursës evropiane kanë qenë më të ulëta, duke pasuar rënien e vlerës së aksioneve në Azi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Tom Rivers njofton nga Londra:
Frika për një ngadalësim të thellë të ekonomisë globale përfshiu tregjet evropiane dhe të gjitha bursat kryesore shfaqën pasiguri të madhe. Shqetësimi kryesor ishte se një recesion botëror mund të jetë i pashmangshëm, pavarësisht nga fakti që në Bruksel udhëheqësit evropianë po diskutojnë një plan të bashkërenduar për daljen nga kriza.
Një nga zërat kryesore në këtë takim ka qenë kryeministri britanik Gordon Brown, plani i të cilit i ashtuquajtur modeli britanik për reformimin e bankave, po gjen jehonë edhe në vende të tjera të botës.
Zoti Brown e pranon se pasiguria do të vazhdojë ndërsa problemet ndërkombëtare financiare prekin sektorët realë të ekonomisë.
“Njerëzit po i shohin pasojat tek standardi i tyre i jetesës, si rezultat i rritjes globale të çmimeve të naftës dhe të mallrave ushqimore që po shoqërohet nga kriza e kredive. Këto janë probleme të një ekonomie globale. Kështu ne përjetuan krizën e burimeve kur kërkesa për naftë ishte më e lartë se oferta, ndërsa tani po përpiqemi të gjejmë zgjidhje për krizën financiare të kësaj epoke të re të globalizimit”.
Qeveria zviceriane shpalli plane për të mbështetur sistemin e saj bankar me miliarda dollarë, e fundit në valën e qeverive që ndërmorën të njëjtat masa. Bankës UBS po i ofrohen deri në 54 miliardë dollarë që të mund të dalë nga problemet e saj financiare.
Për udhëheqës si kryeministri Brown, një masë e tillë është një betejë e radhës, pjesë e një fushate që mund vazhdojë gjatë.
Megjithë uljen e bashkërenduar të interesave dhe derdhjen masive të fondeve në sistemin financiare nga bankat qendrore, rimëkëmbja e tregjeve globale nuk është një shkencë e saktë. //iç//