Lidhje

Mbyllet çështja për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka


Prokuroria e Korçës njoftoi sot se vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka ishte pasojë e një aksidenti rrugor. Duke shpallur përfundimet e hetimit, prokurori i rrethit të Korçës, Përparim Vukaj deklaroi pushimin e çështjes . Zoti Vukaj tha se krahas administrimit të provave dhe raporteve të ekspertëve ishin pyetur në kuadër të hetimeve edhe mjaft dëshmimtarë. Zoti Vukaj pohoi se të dhënat e dëshmimtarëve , që kishin marrë kontakt me viktimën para aksidentit, pohonin se ai kishte dalë për gjueti dhe nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim. Ndër këto dëshmi Prokurori i Korcës përmendi edhe atë të bashkëshortes së biznesmenit Trebicka, e cila kishte komunikuar, sipas prokurorit, me telefon disa orë përpara aksidentit me bashkëshortin.

Prokuroria shqiptare u ndihmua në hetimin e çështjes së vdekjes së Kosta Trebickës edhe nga një ekspert amerikan. Raporti i ekspertit Kevin Teter, dorëzuar autoriteteve shqiptare, fliste për një aksident automobilistik. Kosta Trebicka u gjet i vdekur mesditën e 12 shtatorit, në aksin rrugor Lekas-Voskopojë të rrethit të Korcës .Trupi i tij i pajetë ishte disa dhjetëra metra larg makinës së tij xhip me të cilën kishte dalë për gjueti.

Policia e konsideroi vdekjen e tij aksident, kurse Prokuroria kërkoi gjate hetimeve edhe mendimin e një eksperti amerikan për të dalë më pas në një përfundim zyrtar. Konkluzionet zyrtare u komunikuan sot nga Prokurori i Korcës , i cili drejtoi njëkohësisht edhe hetimet. Kosta Trebicka ishte nje nga deshmitaret kyç te çeshtjes se shitjes se municioneve shqiptare ne Afganistan . Dëshmitë e tij për afera të paligjshme në këtë process ishin bërë të njohura jo vetëm në shtypin qëndror shqiptar, por edhe atë amerikan. Vdekja e Kosta Trebickës shkaktoi kohët e fudnit polemika të ndezura politike mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri. //iç//

XS
SM
MD
LG