Lidhje

Shala: Marti Ahtisari ka merita të jashtëzakonshme për shtetin e Kosovës


Përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës thanë sot se dhënia e çmimit Nobel ish krye negociatorit ndërkombëtarë Marti Ahtisari është fitore edhe e Kosovës. Ata e vlerësuan zotin Ahtisari si mik të madh të paqes, ndërsa përfaqësuesit e serbëve thanë se zoti Ahtisari do të duhej të ishte njeriu i fundit që e ka merituar këtë çmim.

Publicisti Blerim Shala, bashkërendues i ekipit të negociuesve të Kosovës i tha Zërit të Amerikës se “merita e zotit Ahtisari për bërjen e shtetit të Kosovës është e jashtëzakonshme. Zoti Ahtisari prej fillimit e ka kuptuar fare mire se cili është vullneti politik i qytetarëve të Kosovës, por i ka kuptuar edhe rrethanat rajonale dhe ndërkombëtare. Ka bashkëpunuar shkëlqyeshëm me grupin e Kontaktit, me politikanët më të rëndësishëm të perëndimit dhe shumë mirë e ka ditur se në cilin drejtim duhet të shkojë procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, tha ai.

Zoti Shala theksoi se Marti Ahtisari që në vitin 2005 kur u caktua si krye negociator për Kosovën qe përmendur si kandidat për çmimin Nobel, por kjo nuk ka ushtruar asnjë ndikim në qasjen e tij ndaj procesit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. “Por Ahtisari asnjëherë nuk ka bërë kompromis. Ai nuk është lodhur se a do të fitojë apo jo çmimin Nobel dhe ka insistuar që çështja e Kosovës të zgjidhet ashtu siç duhet, pra me pavarësimin e Kosovës me një mbikëqyrje të përkohshme ndërkombëtare që na është nevojitur edhe neve siç po shohim gjithnjë e më shumë”, tha zoti Shala.

Ai është i bindur se çmimi Nobel do të ushtrojë ndikim në procesin politik në Kosovë. Zoti Shala thotë se në radhë të parë çmimi Nobel për zotin Ahtisari dëshmon se ai ka përgatitur një plan shumë të mirë për Kosovën dhe rajonin dhe është një konfirmim i qarqeve më të larta paqedashëse se ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Kjo thotë ai, “është një goditje ndaj synimeve të Serbisë për të kontestuar zotin Ahtisari dhe pavarësinë e Kosovës. Së dyti: realiteti në Kosovë ka dëshmuar që zoti Ahtisari ka bërë propozim të mirë. Sikur të kishte trazira, probleme në Kosovë prej shkurtit kur u shpall pavarësia e Kosovës e deri më sot, me siguri që presidenti Ahtisari nuk kishte pasë gjasa që ta fitojë çmimin Nobel për paqe. Së treti, në shumë shtete që kanë hezituar të njohin shtetin e Kosovës, tash pas marrjes së këtij lajmi, ndërsa zoti Ahtisari është i njohur në Afrikë, në Azi, në Evropë, kudo, me siguri që do të ketë interesim të shtuar që çështja e Kosovës të trajtohet më mirë dhe që ndoshta edhe të njihet pavarësia e Kosovës, sidomos pas këtyre lajmeve shumë të mira që i morëm mbrëmë nga Shkupi dhe Podgorica”, tha zoti Shala.

Zotin Ahtisari e kanë çmuar si meritor për këtë çmim edhe udhëheqësit politik të Kosovës. “

Duke i shprehur urimet tona për këtë mirënjohje prestigjioze, por pa dyshim më se të merituar, ritheksojmë se Republika e Kosovës do t'i jetësojë me përpikëri zotimet që ka dhënë në procesin ndërkombëtar të pavarësisë së vendit tonë dhe se do të shndërrohet në një vend model të respektimit të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie, race a besimi”, ka deklaruar presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Në vjeshtën e vitit 2005, Marti Ahtisari mori përsipër procesin e negociaimit të statusit të Kosovës dhe në mars të vitit 2007 ai paraqiti propozimin e tij për një pavarësi të mbikëqyrur. Plani nuk u pranua asnjëherë nga Beogradi dhe serbët e Kosovës të cilët sot thanë se zoti Ahtisari ishte njeriu i fundit që duhej të merrte çmimin Nobel për paqe. Viti 2007 kaloi në përpjekje për të arritur një kompromis ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të cilat dështuan duke i hapur rrugën shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të këtij viti duke u bazuar në planin e zotit Ahtisari. (ze)

XS
SM
MD
LG