Çmimi prestigjoz Nobel i Paqes i është dhënë ish presidentit të Finlandës, Marti Ahtisari, për punën e tij në negocimin e zgjidhjeve paqësore nga Kosova në Nigeri.
Komiteti norvegjez i Çmimit Nobel vuri në dukje se përpjekjet e zotit Ahtisari gjatë një periudhe mbi 30 vjeçare kanë kontribuar drejt një bote më paqësore.
Ky komitet thotë se 71 vjeçari Ahtisari hartoi një plan, që Kosovës t’i jepej pavarësia e mbikqyrur nga komuniteti ndërkombëtar, plan që po zbatohet.
Komiteti i Çmimit Nobel tha se ish presidenti finlandez luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në arritjen e pavarësisë së Namibisë në vitin 1990. Zoti Ahtisari i tha sot një gazetari norvegjez se ai i konsideron përpjekjet në atë vend të Afrikës jugore si punën e tij më të rëndësishme.
Zoti Ahtisaari bashkë me një organizatë, që ai ka themeluar, kanë punuar gjithashtu në Irak, Indonezi dhe Irlandën e Veriut.
Komiteti i Çmimit Nobel tha se shpreson që njerëz të tjerë të mund të frymëzohen nga përpjekjet dhe arritjet e tij.
Vitin e kaluar, Çmimi Nobel i Paqes iu dha ish nën-presidentit amerikan, Al
Gor, dhe një komisioni të Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike për
punën e tyre për të paralajmëruar botën ndaj kërcënimeve të ngrohjes globale. (ze)