Lidhje

Maqedonia, vendi i pesëdhjetë që njeh Kosovën


Maqedonia është vendi i pesëdhjetë që njeh Kosovën. Qeveria e Maqedonisë miratoi vendimin e Parlamentit, i cili i hapi mbrëmë dritën jeshile rezolutës për njohjen e fqinjit të saj verior.

Qeveria e Maqedonisë deklaroi se shumë shpejt do të vendosen edhe marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën. Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski, i cili e bëri të ditur qëndrimin e qeverisë së vendit të tij, nuk ka dilema që qeveria e Kosovës do ta nënshkruajë, siç tha, marrëveshjen me qeverinë e Republikës së Maqedonisë, duke lënë kështu të kuptohet se Kosova do ta njohë Maqedoninë me emrin e saj kushtetues.

Paraprakisht, Parlamenti i Maqedonisë debatoi për orë të tëra mbi rezolutën e paraqitur nga dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Lidhja Social Demokrate e opozitës kërkonte që njohja të kushtëzohej me përfundimin e shënimit të vijës kufitare midis dy vendeve; që Kosova ta njohë Maqedoninë me emrin kushtetues dhe pakicës gorane në Kosovë, të cilën maqedonasit e konsiderojnë si pjesë të etnisë së tyre, t’i jepen të drejta më të mëdha. Këto kërkesa në formë amendamentesh të opozitës maqedonase nuk u përfillën dhe 85 deputetë që përbëjnë më shumë se dy të tretat e votave e miratuan rezolutën. Vetëm një ishte kundër: deputeti i pakicës serbe, ndërsa 16 deputetë të opozitës maqedonase abstenuan.

Qeveria e Maqedonisë e kishte bashkërenduar qëndrimin me qeverinë e Malit të Zi për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e fqinjit të përbashkët, Kosovës. Në një deklaratë të përbashkët të të dy qeverive thuhet se ato e mbështetnin procesin e bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa plani i presidentit Ahtisaari u vlerësua si një bazë e mirë për gjetjen e zgjidhjes, e cila do t’i kontribuonte qëndrueshmërisë afatgjatë dhe perspektivave të reja evropiane dhe euroatlantike. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, thuhet më tej në komunikatë, rezultoi pas dështimeve të të gjitha përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar që përmes bisedimeve të gjendej një zgjidhje e statusit të Kosovës.

Maqedonia mund të presë që Beogradi të kërkojë largimin e ambasadorit të saj, ashtu siç veproi edhe me ambasadorin e Malit të Zi, por nuk pret ndonjë thellim të krizës midis dy vendeve. //iç//

XS
SM
MD
LG