Lidhje

SHBA përsërit mbështetjen për anëtarësimin e Gjeorgjisë në NATO


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për aspiratat e Gjeorgjisë për anëtarësim në NATO.

Sekretari Gejts, duke marrë pjesë në një takim ministror të NATO-s në Budapest, përsëriti gjithashtu qëndrimin kritik të Uashingtonit ndaj Rusisë për ofensivën e saj ushtarake në Gjeorgji në muajin gusht. Ai tha se inkursioni rus ka dëmtuar sigurinë në rajonin e Kaukazit.

NATO-ja ka premtuar të pranojë në radhët e saj Gjeorgjinë dhe Ukrainën, por në takimin e saj të muajit prill nuk pranoi t’i ftonte këto vende në rradhët e saj.

Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve Itar-Tass citoi ministrin e jashtëm Sergei Lavrov të ketë paralajmëruar se Gjeorgjia nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës ushtarake për të rimarrë nën kontroll territoret separatiste pro-ruse, Osetinë Jugore dhe Abkazinë.

Ministri i jashtëm Lavrov, duke folur sot në Kyrgyzstan, akuzoi NATO-n dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkeljen e protokollit, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi pa i dhënë Rusisë mundësinë që ta shikonte dokumentin. //kk//

XS
SM
MD
LG