Organizata më e madhe e sigurisë në Evropë tha se zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi nuk përmbushën standartet demokratike, megjithë ato që i quan përmirësime të vogla në procedurat zgjedhore.
Raporti i sotëm i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë u publikua pak pasi autoritetet bjelloruse thanë se kandidatët e opozitës nuk fituan asnjë vend në parlamentin prej 110 anëtarësh.
OSBE-ja tha se votimi në vetvete u krye në përgjithësi në rregull. Por shtoi se numërimi i votave kishte probleme të mëdha në 48 përqind të qëndrave të vizituara. Raporti thotë se vëzhguesit e OSBE-së nuk u lejuan të mbikqyrnin 35 përqind të rezultatit përfundimtar.
Udhëheqësit e opozitës thonë se votimi u manipulua dhe i kanë bërë thirrje Perëndimit të mos njohë rezultatet.
Shtetet e
Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kishin shprehur gadishmëri për të shqyrtuar
mundësinë e heqjes së sanksioneve tregëtare dhe të udhëtimit, të vendosura ndaj
Bjellorusisë, në se vëzhguesit e OSBE-së vërtetojnë se zgjedhjet përmbushën
standartet ndërkombëtare për sa i përket transparencës dhe drejtësisë. //rd//