Lidhje

Presidenti Bush i kërkon Kongresit të miratojë planin financiar


Presidenti Bush i kërkoi Kongresit të miratojë planin financiar prej 700 miliard dollarësh, duke thënë se ky plan do të bëjë që kriza financiare të mos përhapet në të gjithë ekonominë.

Presidenti i bëri komentet sot, pak orë para se të hapeshin tregjet amerikane të bursës. Ai u përpoq të sigurojë investitorët se edhe pse ligji i ri është rezultat i negociatave të vështira me Kongresin, ky ligj sidoqoftë godet rrënjën e problemeve që shkaktuan krizën.

Presidenti Bush tha se miratimi i ligjit do t’i dërgonte një sinjal të fortë tregjeve në Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë se vendi po bën përpjekje serioze për të rikthyer besimin te sistemi financiar. Ai tha gjithashtu se projektligji do ta ndihmojë ekonominë që të fillojë të rritet.

Investitorët kudo në botë janë të shqetësuar se plani financiar nuk do t’i japë dot shtytje ekonomisë amerikane.

Tregjet kryesore aziatike të aksioneve ranë sot shumë ndërsa bursat europiane operuan me rënie gjatë orëve të mesditës.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan pritet ta hedhë në votë sonte këtë projektligj me përmasa të tilla të mëdha financiare.

Presidenti Bush tha se projektligji përpiqet të zgjidhë çështjen e kredive të këqia për shtëpitë që janë në qendër të krizës financiare.

Drejtori i Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke, tha se ende mendon që projektligji i ri do të stabilizojë sistemin financiar, megjithë ndryshimet që iu bënë.

Plani parashikon të lejojë Sekretarin e Thesarit të shpenzojë deri në 700 miliard dollarë në formë këstesh për të blerë asetet e këqia nga firmat financiare që sot janë në vështirësi. Këto investime të këqia i kanë bërë bankat të ngurrojnë për t’u dhënë kredi bizneseve dhe konsumatorëve.

Administrata thotë se mungesa e kreditit kërcënon të paralizojë ekonominë.
Propozimi parashikon gjithashtu kufizime ndaj pagave të ekzekutivëve të kompanive që do të shpëtohen dhe i kërkon qeverisë t’i ndihmojë njerëzit që kanë blerë shtëpi të mos i humbasin ato.

Ndërkohë, bankat qendrore europiane dhe aziatike kanë injektuar miliarda dollarë të tjerë në tregjet financiare. Zyrtarët shpresojnë se kjo do të inkurajonte institucionet financiare të vazhdojnë të japin kredi për bizneset dhe konsumatorët. //ii

XS
SM
MD
LG