Presidenti amerikan Xhorxh Bush u përpoq të bindë taksapaguesit amerikanë se plani i propozuar nga administrata amerikane për të shpëtuar sektorin e trazuar financiar është në interes të tyre.
Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti tha se e kupton përse amerikanët mendojnë se s’është e drejtë që të shlyejnë me paratë e tyre gabimet e Wall Streetit. Por ai tha se dështimi i sistemit financiar nënkupton vështirësi më të mëdha për shumë amerikanë.
Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve e kundërshtojnë planin e qeverisë për të shpenzuar deri në 700 miliardë dollarë nga paratë e taksapaguesve për të blerë asete nga firmat financiare në vështirësi.
Propozimi ka hasur në kundërshtime edhe në Kongres. Megjithëse republikanët dhe demokratët në Senat janë dakord në parim me këtë masë, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve e kanë kundërshtuar me forcë koston e planit.//lk