Çokollatat ishin ushqimi më i preferuar në Panairin Ndërkombëtar të Gastronomisë në Londër. Për here të parë, këtë vit, ekspozita i ka kushtuar një pjesë të veçantë çokollatave, që shpeshherë quhen “ushqimi i perëndive”. Organizatorët thonë se kërkesa për ëmbëlsira është rritur në Britaninë e Madhe, edhe pse ekonomia globale është ngadalësuar çmimi i produkteve ushqimore është rritur.
Organizatorët e Panairit të Çokollatave, një seksion i veçantë, që gjendet midis atij të specialiteteve dhe delikatesave gastronomike në stadiumin Olimpia të Londrës, thonë se interesi për çokollatat e përgatitura në mënyrë artizanale dhe të cilësisë së lartë nuk ka qenë asnjëherë më i madh. Kjo ngjarje po festohet për të tetin vit me radhë, por është hera e parë që çokollata është në krye në menusë. Drejtori i panairit, Pol Mekdonald thotë se rritja e kërkesës në Britani për artikuj ushqimorë të prodhuar në mënyrë artizanale, si djathi dhe vera, është zgjeruar më tej këtë vit, duke përfshirë edhe çokollatat.
Njerëzit kanë filluar t’i shijojnë çokollata që në vitin 1 mijë e 100 para erës sonë. Çokollata vjen nga Amerika e Jugut, ku fiset actekë, e lidhën kakaon me perëndeshën e pjellorisë. Edhe sot, çokollata konsiderohet përsëri si ushqim afrodiziak, pra që lidhet me sensualitetin dhe ajo cilësohet si “ushqimi i perëndive”.
“Një çokollatë e mirë sikur të qetëson, kënaqesh duke e ngrënë. Harron për
një çast të gjitha hallet, dhe streset”.
Mark Demarket e filloi biznesin e tij për prodhimin artizanal të çokollatave dy vjet më parë.
Dyqani tij ndodhet në lagjen Çelsi të Londrës dhe ai shpjegon se për prodhimin e çokollatava përdor krem, manaferra të mbledhura me dorë, si dhe mjaltë.
Këto çokollata që të lëngëzojnë gojën, kushtojnë rreth 2 dollarë e 600 centë për një kuti me tre copë dhe deri në 158 dollarë për kutitë më të mëdha.
Megjithë natyrën luksoze të biznesit të tij, Demarquette thotë se ngadalësimi i ekonomisë nuk ka patur ndikim tek biznesi i tij.
“Kemi 20 vjet në këtë biznes dhe kemi vënë re që ngadalësimi i ekonomisë nuk ndikon tek shitja e çokollatave, sepse njerëzit vërtet kanë vështirësi të hanë darkë jashtë kur janë ngushtë me para, por ata përsëri mund të kënaqen me një çokollatë të mirë”.
E të njëjtit mendim është edhe Zhenevievë Holdsuorth, familja e së cilës ka prodhuar çokollata që prej për 20 vjetësh. Ajo thotë se në periudha krizash ekonomike, kërkesa për çokollata ka prirjen të rritet.
Por cili është produkti më i kërkuar i vitit 2008?
Si Zhënevievë Holdsuorth, edhe Mark Demarket, janë të një mendimi, se çokollatat me përqindje të ulët karbohidratesh vazhdojnë të kërkohen më tepër nga konsumatorët.Zoti Demarket thotë se njerëzit po ashtu i blejnë çokollatata edhe për shkak se ato kanë një sërë vetish që janë të mira për organizmin e njeriut.
Ai thotë e çokollata përmban magnez, vitamina dhe potasium, por thekson se konsumatorët duhet të shohin me vëmendje listën e përbërësve që që shënohet zakonisht tek pjesa e pasme e letrës mbështjellëse, për t’u siguruar që ajo nuk përmban substanca që zëvendësojnë çokollatën dhe yndyrna vegjetariane.
Në panair u përfaqësuan me produktet e tyre 700 prodhues çokollatash nga e gjithë bota, 80 për qind e të cilëve janë prodhues privatë, të pavarur dhe artizanalë.
Organizatorët e Panairit kanë bashkëpunuar me organizatën “Action Against Hunger”, “Masa kundër urisë” një organizatë bamirëse, e cila ndërgjegjësin njerëzit dhe financon programet e ushqimqt në mbarë botën.//kk//