Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës ndodhet në Beograd për të biseduar mbi bashkëpunimin e Serbisë me këtë gjykatë.
Zoti Serzh Bramerc u takua sot në Beograd me anëtarë të ekipit qeveritar që bashkërendojnë përpjekjet për kapjen e dy personave të dyshuar për krime lufte, ish komandantin ushtarak të serbeve të Bosnjes, Ratko Mlladiç dhe ish udhëheqësin e serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiç.
Vizita e tij është e para që nga arrestimi në Beograd i ish udhëheqësit të serbeve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe transferimit të tij në Hagë.
Autoritetet serbe shpresojnë se zoti Bramerc do të informojë Bashkimin Europian se vendi i tyre po bashkëpunon tani plotësisht me Gjykatën e Hagës. Kjo do t’i hapte rrugën zbatimit të marrëveshjes për marrëdhënie më të ngushta mes Serbisë dhe BE-së që deputetët miratuan dje në Beograd. (ze)