Lidhje

Senatori Mekein pranon emërimin e Partisë Republikane dhe zotohet të reformojë Uashingtonin


Senatori republikan Xhon Mekein pranoi mbrëmë emërimin e Partisë Republikane për kandidatin presidencial me thirrjen për ndryshime dhe kërkesën për mbështetjen e kandidaturës së tij nga republikanët, të pavarurit dhe votuesit e pavendosur.

Senatori Mekein foli kundër shpenzimeve të mëdha, mungesës së efiçencës, kundër vënies së vetvetes para vendit dhe u zotua se ky pejsazh do të ndryshojë në qoftë se ai zgjidhet president në nëntor.

Zoti Mekein e mbajti fjalimin në ditën e fundit të kuvendit të partisë së tij në Shën Pol të Minesotës, që e emëroi atë si kandidatin e partisë për president dhe Guvernatoren e Alaskës, Dara Pejlin si kandidate për zv/presidente.

Senatori veteran nga Arizona vuri në dukje bashkëpunimin e tij me demokratët dhe u zotua ta vazhdojë atë edhe si president, dhe madje, t'i japë fund përplasjeve partiake në Uashington.

Zoti Mekein tha se ka një ndryshim të madh mes tij dhe rivalit demokrat Barak Obama. Ai tha se e respekton dhe e admiron zotin Obama, por vuri në dukje se Senatori Obama synon të ngrejë taksat dhe të shtojë shpenzimet qeveritare.

Senatori Mekein mbrojti shtimin e trupave në Irak, duke thënë se ai vendim i shpëtoi Shtetet e Bashkuara nga disfata që do ta kishte demoralizuar ushtrinë. //iç//

XS
SM
MD
LG