Lidhje

Papa Benedikt takon franko-kolombianen Ingrid Betankur


Papa Benedikt është takuar me Ingrid Betankur, gruan franko-kolombiane që u lirua pasi ishte mbajtur peng nga rebelët në Kolumbi.

Betankur u takua me Atin e Shenjtë të hënën për rreth 20 minuta në rezidencën e tij të pushimit Kastel Gandolfo në jug të Romës.

Betankur, e cila u lirua nga kryengritësit e majtë në Kolombi më 2 korrik tha se ishte besimi i saj i fortë fetar ai që e ndihmoi për të mbijetuar robërimin prej 6 vitësh në Kolombi. Ajo kishte shprehur interesim për një takim me Papen Benedikt.

Agjencia italiane e Lajmeve, ANSA njofton se në takimin e saj me Papën, ajo shoqërohej nga nëna e saj. Pritej që më vonë, Betankur të mbante të hënën një konferencë shtypi.

Politikania franko-kolombiane u zu rob në xhunglat kolombiane nga Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolombisë.

Ajo dhe 4 pengjet e tjera u çliruan në korrik nga forcat kolombiane të cilat mashtruan kryengritësit për t’iu dorëzuar pengjet. //bsa//

XS
SM
MD
LG