Lidhje

Kandidatura e Xho Bajdenit ofron përvojë të madhe në politikën e jashtme


Zgjedhja e senatorit Xho Bajden si kandidati nënpresidencial demokrat i sjell kandidaturës së zotit Obama përvojë të gjatë në politikën e jashtme dhe në senat. Ekspertët thonë se origjina prej klasës punëtore e senatorit Bajden do ta ndihmojë senatorin Obama të bëjë për vete grupe kyçe votuesish demokratë.

Kur senatori Obama të vihet në qendër të vemendjes gjatë kuvendit demokrat në Denver këtë javë, senatori Joe Biden do të ndajë skenën me të. Zoti Obama e bëri publike zgjedhjen e tij për kandidaturen e nënpresidentit të shtunën në Springfield, Illinois.

Ka ardhur koha për ndryshim dhe amerikanët kanë nevojë për të. Tani me Xho Bajdenin pranë meje, jam i sigurt se mund ta çojmë vendin në rrugën e duhur.

Analistët politikë thonë se kandidati Obama ka pasur disa arsye strategjike për zgjedhjen e zotit Biden.

Profesori Robert Dadli nga Universiteti Xhorxh Mejsën në Virginia thotë se senatori Bajden mund t'i bëjë ballë një pike të fortë që e ka kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Senatori Xhon Mekein. Ai thotë se zoti Biden i sjell kandidaturës demokrate përvojë në politikën e jashtme të të njëjtit niveli me atë të zotit Mekein.

Zoti Bajden është kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të senatit amerikan. Ai ka qënë anëtar i këtij komisioni për më shumë se një dekadë. Disa javë më parë, senatori Biden u nis për në Republikën e Gjeorgjisë për të parë nga afër ndikimin e konfliktit të Gjeorgjisë me Rusinë. Analistët thonë se një arsye tjetër me rëndësi për zgjedhjen e zotit Biden janë shtetet industriale kyçe verilindore të Pensilvanisë dhe Ohajos.

Zoti Obama u mund nga senatorja Hillëri Klinton gjatë zgjedhjeve paraprake në këto shtete dhe tani i duhet të rrisë shanset për të fituar atje.

"Zoti Bajden është tipi i demokratit që tërheq klasën punëtore mes të bardhëve, një grup votuesish ende larg senatorit Obama."

Xho Bajden ka përfaqësuar shtetit e Dellauerit për 36 vjet. Përveç përvojës së tij në politikën e jashtme, ai ka shërbyer edhe si kryetar dhe anëtar i lartë i Komisionit Gjyqësor i cili voton kandidatët për në Gjykatën e Lartë.

Zoti Bajden është 65 vjeç dhe lindi në një qytet punëtorësh në Pensilvani.
Ai ishte vetëm 29 vjeç kur u zgjodh për herë të parë në senat në vitin 1972. Pak pas zgjedhjes në senat një aksident me makinë i shkatërroi jetën private.

Senator Xho Bajden, Intervistë për rrjetin ABC, 13 Dhjetor 2007

"Kur gruaja dhe vajza ime vdiqën në aksident, u ktheva në shtëpi nga spitali me dy djemtë që ishin plagosur keqazi. Motra ime dhe bashkëshorti i saj, pa më pyetur, lanë shtëpinë e tyre dhe erdhën të jetonin me mua të më ndihmonin të rrisja fëmijët e mi."

Zoti Bajden u martua për herë të dytë me një profesore kolegji rreth 20 vjet më parë.

Ai tentoi për herë të parë për të fituar emërimin si kandidat demokrat për president në vitin 1988. Fushata e tij u ndërpre kur një prej fjalimeve të tij u mendua të ishte kopjuar nga një deputet britanik. Që prej asaj kohe, zoti Biden u përqendrua në punën e tij në senat deri në vitin e kaluar kur i hyri edhe një herë garës presidenciale.

Zoti Bajden i shprehu haptazi idetë e tij për politikën e jashtme gjatë debateve të kandidatëve demokratë para zgjedhjeve paraprake në Ajova. Në Filadelfia të Pensilvanisë tetorin e kaluar ai akuzoi "Luftën kundër Terrorit" të administratës së presidentit Bush për efektin e saj jo vetëm në Irak, por në të gjithë botën islamike.

"Shtetet e Bashkuara kanë bërë që të moderuarit në Pakistan dhe Afganistan të fshihen. Kjo vë në rrezik njerëz si presidenti afgan Karzai apo ai i Pakistanit, Musharraf."

Por në garën e parë paraprake demokrate të shtetit të Ajovas, zoti Bajden humbi ndjeshëm ndaj zotit Obama duke fituar vetëm 1% të votave kundrejt 38% të senatorit Obama. Senatori Bajden i dha fund fushatës së tij një ditë më vonë.

Por, të shtunën e kaluar gjatë grumbullimit në Springfield, Ilinoi, të gjitha mëritë morën fund, teksa zoti Bajden i qëndroi pranë zotit Obama si pjesë e kandidaturës së tij.


"Sot në Springfield, unë e di se kam marrë vendimin e duhur. Dhe jam krenar që jam pranë presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama."

Që tani deri në zgjedhjet e 4 nëntorit, fatet e senatorëve Obama dhe Bajden do të jenë të lidhur bashkë dhe sigurisht të lidhur me votuesit të cilët do të vendosin kush do të jenë banorët e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë. //rd//


XS
SM
MD
LG