Lidhje

Analistët: Veprimi i Moskës mund të sjellë lëvizje separatiste brenda Rusisë


Presidenti rus Dmitri Medvedev nënshkroi dekretet që njohin zyrtarisht pavarësinë e rajoneve separatiste të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut. Analistët thonë se ky vendim mund të sjellë lëvizje separatiste brenda vetë Rusisë.

Presidenti Medvedev e bëri publike njohjen nga Federate Ruse të Osetisë së Jugut dhe Abkazisë gjatë një fjalimi të transmetuar në të gjithë vendin që zgjati pesë minuta. Zoti Medvedev akuzoi Gjeorgjinë se po kërkonte të eliminonte banorët e këtyre dy republikave separatiste.

Udhëheqësi i Kremlinit thotë se nënshkroi dekretet për njohjen nga Federata Ruse të Osetisë së jugut dhe Abkazisë. Ai thotë se Rusia i bën thirrje shteteve të tjera të ndjekin shembullin e saj dhe shton se vendimi, edhe pse jo i lehtë, ishte e vetmja mundësi për të shpëtuar jetë njerëzish. Ai thotë se njohja merr për bazë dëshirën për pavarësi të banorëve të Osetisë dhe Abkazisë, Kartën e Kombeve të Bashkuara, një deklaratë të vitit 1970 të ligjit ndërkombëtar si dhe Marrëveshjen e Helsinkit.

Analisti i pavarur politik Aleksandër Konovalov i tha Zërit të Amerikës se vendimi dobëson Marëveshjen e Helsinkit, të nënshkruar në vitin 1975, një dokument që njeh paprekshmërinë e kufijve të pasluftës së Europës. Zoti Konovalov thotë se kjo do të dëmtojë vetë Rusinë, sepse Moska nuk do të ketë më mundësi të kundërshtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore.

Analisti thotë se akoma më me rëndësi për Rusinë është se njohja e këtyre dy rajoneve vë një bombë me sahat në zonën e Kaukazit, pasi, nëse Moska u njeh osetianëve dhe abkazianëve të drejtën për t'u shkëputur nga Gjeorgjia, përse të mos lejojë që ingushët dhe çeçenët të bëjnë kështu. Ai thotë se nuk e di se kur apo si do të shpërthejë kjo bombë, por është i sigurt se kjo gjë do të ndodhë.

Grupet çeçene kanë zhvilluar dy luftra të përgjakshme për pavarësi me Rusinë, të cilat mbaruan vetëm kur një prej klaneve çeçene i drejtoi armët nga fraksioni tjetër çeçen, duke mbajtur anën e Moskës, dhe kjo e fundit e vuri atë në pushtet. Çeçenët kanë luftuar kundër sundimit rus që prej shekullit të 19-të dhe ky rajon ende konsiderohet si një pikë e nxehtë që kërkon pavarësi.

Kryetari i Forumit për Integrim Europian në Tbislisi, Soso Tsiskarishvili i tha Zërit të Amerikës se vendimi i zotit Medvedev me siguri do të rrisë vetëdijen etnike dhe do të provokojë ndjejat separatiste në të gjithë Rusinë. Ai thotë se vendimi i presidentit rus për të njohur pavarurësinë e Abkazisë dhe Osetisë së Jugut tregon se ai është një udhëheqës jo largpamës i cili është përzgjedhur dhe jo zgjedhur e të cilit nuk mund t'i zihet besë për respektimin e angazhimeve ndërkombëtare të Rusisë. Zoti Tsiskarishvili po kështu kritikon udhëheqjen gjeorgjiane dhe thotë se ajo po rrezikon të humbasë mbështetjen politike brenda vendit.

Zoti Tsiskarishvili thotë se ai nuk është i bindur nëse populli gjeorgjian ka besim të mjaftueshëm tek aftësia e autoriteteve në fuqi për të kontrolluar situatën në një të ardhme të largët, apo nëse udhëheqësit e tanishëm do të vazhdojnë të jenë aktorët kryesorë në skenën politike gjeorgjiane.

Ai thotë se nëse presidenti gjeorgjian vazhdon të ushqejë ide për të vazhduar luftimet për Osetinë e Jugut, kjo do të bëjë që ai të humbasë praktikisht çdo lloj mundësie, që të ruajë të paprekshëm integritetin territorial të vendit të tij. //rd//



XS
SM
MD
LG