Lidhje

Çurkin mbron vendimin e Rusisë në OKB për njohjen e provincave separatiste


Përfaqësuesi i Rusisë në Kombet e Bashkuara e mbrojti vendimin e qeverisë së tij për të njohur dy provincat separatiste, duke thënë se sulmi i Tbilisit mbi Osetinë Jugore ka anulluar rezolutat ekzistuese të OKB-së të cilat siguronin integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe ka krijuar një realitet të ri.

Duke lexuar një deklaratë nga Ministri e Jashtme ruse, ambasadori rus pranë OKB-së,Vitali Çurkin tha se qeveria e tij e ka njohur pavarësinë e Osetisë Jugore dhe Abkazisë duke pasur parasysh politikën agresive dhe shoviniste të ndjekur nga Tbilisi.

Ai tha se Rusia ka treguar shumë durim duke pritur kaq gjatë për t'i njohur dy rajonet separatiste dhe vendimi për ta bërë një gjë të tillë ishte i njëzëshëm në parlamentin rus.

"Ne kemi pritur për një kohë të gjatë. Ata na kanë bërë thirrje prej vitesh që ne t'i njohim, prandaj Federata Ruse ka treguar durim shembullor."

Zoti Çurkin tha se Rusia nuk synon t'i aneksojë dy provincat, ku shumë prej banorëve kanë kombësi ruse.

Në një konferencë tjetër shtypi, ambasadori gjeorgjian në OKB Irakli Alasania e hodhi poshtë veprimin e Rusisë duke thënë se do ta ndizte edhe më tej situatën.

"Ky hap nuk ka pasoja ndërkombëtare apo ligjore. Nuk ka ndikim në kufinjtë e vendosur ndërkombëtarisht të Gjeorgjisë, dhe nuk do ta ndryshojë në asnjë mënyrë qendrimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së Gjeorgjisë."

Por ambasadori rus e kundërshtoi këtë, duke thënë se sulmi i Gjeorgjisë ndaj Osetisë Jugore me 8 gusht i hidhte poshtë rezolutat ekzistuese të OKB-së që garantojnë integritetin territorial të Gjeorgjisë.

"Përdorimi i forcës nga ana e tyre kundër Osetisë Jugore i bëri të pavlefshme të gjitha rezolutat e mëparshme dhe krijoi një realitet krejt të ri."

Fuqitë perëndimore nuk pajtohen me Rusinë për këtë çështje, dhe shumë diplomatë vunë në dukje të martën se të gjitha rezolutat e mëparshme të Këshillit të Sigurimit që ripohojnë kufinjtë dhe sovranitetin e Gjeorgjisë vazhdojnë të mbeten në fuqi dhe nuk mund të hidhen poshtë me veprime ushtarake.

Në fillim të këtij muaji, Rusia, Gjeorgjia dhe provincat separatiste nënshkruan një plan paqeje prej gjashtë pikash, të cilat përfshijnë hapjen e bisedimeve ndërkombëtare për marrëveshje sigurie për Abkazinë dhe Osetinë Jugore. Ambasadori Çurkin thotë se Moska vazhdon të jetë dakort me këto pika, pavarësisht nga vendimi i saj për ta njohur pavarësinë e provincave para se të fillojnë bisedimet. //bsa//

XS
SM
MD
LG