Kina i dha fund Lojërave Olimpike me një ceremoni mbyllëse me shfaqje muzikore, yje britanike dhe një numër kërcimtarësh dhe bateristësh.
Më shumë se 90 mijë njerëz mbushën stadiumin Foleja e Zogut në Pekin ndërkohë që fishekzjarret shpërthyen në qiell në formën e unazave olimpike. Akrobatët bënin salto në stadium ndërkohë që atletët dilnin në fushë.
Gjatë një fjalimi të rastit, kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Zhak Rog tha se Lojërat Olimpike kishin hapur mundësinë që bota të mësojë më shumë për Kinën dhe anasjelltas. Ai i deklaroi lojërat zyrtarisht të mbyllura dhe bëri thirrje për t’u mbledhur në Londër pas katër vjetësh për Lojërat Olimpike të 2012-ës.
Në kulmin e ceremonisë, kryetari i bashkisë së Pekinit i
kaloi homologut të tij nga Londra flamurin olimpik. Pas pak, Londra shënoi
vendin e saj si organizatorja e ardhshme me një shfaqje të këngëtares britanike
Leona Luis dhe kitarristin e grupit Led Zepelin, Xhimi Pejxh. //bsa//