Njerëzit në mbarë botën po ndjejnë pasojat e rritjes së çmimit të naftës. Shtrenjtimi i karburantit sjell ndryshim në mënyrat e transportit, si edhe vështirësi të tjera në vende ku kostoja e ushqimeve bazë është gjithashtu në rritje. Kjo do të thotë gjithashtu të ardhme të paqartë për industritë që lidhen me transportin.
Familjet dhe punonjësit në Senegal të Afrikës Perendimore po luftojnë për të gjetur mënyra për të përballuar jetesën.
Është një situatë e njohur dhe e dhimbshme në mbarë botën. Kostoja e transportit dhe ushqimit po rritet, ndërsa rrogat jo.
Njerëzit në Senegal po përdorin autobuzët për të shkuar në punë, shkolla, xhami apo darka familjare.Por çmimi i një rruge është rritur kohët e fundit nga 25 në 40 cent. Kjo është një rritje e madhe për njerëzit me rrogë rreth një dollarë në ditë.
Mohammed Pape bën katër udhëtime me autobus në ditë, për të shkuar në punë të ndryshme dhe për t'u kthyer në shtëpinë e tij në një lagje të varfër.
Ai thotë se nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse të paguajë biletën e shtrenjtuar të autobuzit. Ai thotë se rroga nuk i ka ndryshuar.
Në mbarë botën rritja e çmimit të naftës i ka detyruar shumë njerëz të gjejnë mënyra të reja për të shkuar nga një vend në tjetrin. Në vendet në zhvillim shumë njerëz po heqin dorë nga transporti publik dhe po ecin në këmbë për të shkuar në punë.
Në vendet industriale, benzina e shtrenjtuar po bën gjithnjë e më shumë njerëz të lenë makinat dhe të përdorin transportin publik. Kostoja e këtij transporti në qytetet e mëdha amerikane është rritur 5 deri në 15 përqind nga viti i kaluar.
Çmimet e larta të karburantit po shtojnë kostot e shumë mallrave dhe shërbimeve, përfshi ushqimet. Çmimet në rritje të ushqimeve kanë çuar në trazira në 30 vende gjatë muajve të fundit, duke çuar në shqetësime rreth stabilitetit.
Mauricio Lopez është shofer taksie në Miami të Floridas. Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Kolumbia. Ai thotë se çmimi i karburantit po kërcënon jetesën e tij.
Këtë vit jemi dëmtuar shumë nga çmimi i benzinës pasi praktikisht gjithë të ardhurat tona shkojnë për të blerë naftë. Ne ngritëm kohët e fundit çmimin e shërbimit për të mbuluar kostot e karburantit por kjo i ka larguar edhe më tej klientët.
Çmimet e karburantit kanë gjithashtu një ndikim të madh në industinë e transportit ajoror sidomos në Shtetet e Bashkuara. Shoqëritë American Airlines dhe Delta Airlines kanë humbur më shumë se një miliardë dollarë secila këtë vit.
Zëdhënësi i industrisë Xhim Mej pret më shumë trazira.
Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar rreth së ardhmes së kësaj industrie, duke patur parasysh ndikimin që çmimet e naftës kanë në çdo drejtim.
Karburanti i shtrenjtë do të thotë gjithashtu shumë ndryshime për prodhuesit e automobilëve. Dy kompanitë më të mëdha amerikane të kësaj industrie, General Motors dhe Ford kanë deklaruar humbje të mëdha nga rënia e shitjeve në Amerikë.
Kreu i GM, Rik Uagoner thotë se kompani si Fordi do të mbyllin disa uzina ku prodhohen makina jo shumë efiçente me karburantin.
Nuk mund të presim për t'u përmirësuar kushtet në Amerikë. Duhet të jemi aktivë dhe të marrim disa veprime të vështira për të siguruar mbijetesën dhe suksesin.
Industria e makinave e ka ndryshuar tani fokusin drejt makinave më të vogla dhe më efiçente dhe zhvillimin e makinave që përdorin burime të tjera të energjisë, si hidrogjeni dhe biokarburet.
Ndërkohë shumë njerëz po kërkojnë mënyra alternative të transporti. Në Los Angeles, Ramona Marks e mënjanon turmën duke shkuar në punë me biçikletë.
Kam shpresë për këtë qytet dhe njerëzit që jetojnë këtu. Disa njerëz po bëjnë një ndryshim për më mirë.
Është e qartë se ky problem kaq i gjerë do të kërkojë edhe një
shumëllojshmëri zgjidhjesh. //bsa//