Lidhje

Pakistan: Koalicioni qeveritar finalizon akuzat ndaj Pres. Musharaf


Anëtarët e koalicionit në pushtet në Pakistan u takuan të dielën për të përfunduar listën e akuzave kundër presidentit Pervez Musharraf.

Zyrtarët thonë se nëse presidenti nuk jep dorëheqjen, akuzat do t'i paraqiten parlamentit të martën duke filluar kështu procesin për heqjen e tij nga posti. Komisioni hartues i dokumentit tha dje se akuzat përfshijnë që nga shkelja e kushtetutës e deri tek abuzimi i detyrës.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit Shah Mahmud Kureshi i bëri thirrje presidentit Musharraf të vendosë nëse do të japë dorëheqjen. Zoti Musharraf deri tani ka refuzuar të japë dorëheqjen.

Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs tha në komentet për televizionin amerikan, Fox News se Uashingtoni nuk po shqyrton mundësinë për t'i dhënë strehim politik zotit Musharraf.

Zonja Rajs shtoi se përpjekjet e koalicionit në pushtet për të larguar nga detyra Presidentin Musharraf janë çështje të brendshme të Pakistanit dhe se Shtetet e Bashkuara mbështesin qeverinë pakistaneze të zgjedhur në mënyrë demokratike. //ad//

XS
SM
MD
LG