Lidhje

Presidenti Bush bën thirrje për tërheqjen e trupave ruse nga Gjeorgjia


Presidenti Xhorxh Bush i bëri thirrje Rusisë të përmbushë angazhimin e saj për një armëpushim në Gjeorgji dhe të tërheqë trupat e saj nga ai vend.

Presidenti tha sot në Shtëpinë e Bardhë se është i shqetësuar rreth njoftimeve se Rusia nuk ka ndalur operacionet ushtarake në Gjeorgji, siç u njoftua më parë nga Moska.

Zoti Bush tha se pret nga Rusia që të tërheqë trupat e saj, të cilat kanë hyrë në Gjeorgji gjatë ditëve të fundit.

Presidenti i bëri gjithashtu thirrje Rusisë të lejojë një mision humanitar të drejtuar nga ushtria amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë në plan të përdorin forca ajrore dhe detare për të shpërndarë ndihma humanitare dhe mjeksore.

Presidenti tha se kishte folur në telefon me presidentin e Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili si dhe me Presidentin francez, Nicolas Sarkozy, i cili është angazhuar në përpjekjet e paqes mes Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Zoti Bush njoftoi se Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice do të shkojë në Francë për t’u takuar me zotin Sarkozy, dhe pastaj do të shkojë në Gjeorgji për të vazhduar përpjekjet, siç u shpreh presidenti, për të siguruar mbështetjen e Amerikës në mbrojtje të një Gjeorgjie të lirë. (ze)

XS
SM
MD
LG