Dy zyrtarë të lartë të Serbisë u bënë thirrje të dyshuarve për krime lufte, që janë ende në arrati, të dorëzohen.
Ministri serb i Mbrojtjes Dragan Shutanovac u tha gazetarëve sot se ish komandanti i serbëve të Bosnjës Ratko Mladiç dhe ish udhëheqësi i serbëve të Kroacisë Goran Haxhiç duhet të dorëzohen. Zoti Shutanovac tha se ata po e mbajnë peng popullin serb. Edhe Rasim Lajiç, një ministër tjetër i qeverisë, u bëri thirrje atyre që të dorëzohen dhe tha se kapja e Radovan Karaxhiçit dëshmon se të arratisurit nuk do të mund t'u shpëtojnë autoriteteve për gjithmonë.
Ashtu si Karaxhiçi, edhe Ratko Mladiçi kërkohet nga prokurorët ndërkombëtarë për rolin e tij gjatë konfliktit në Bosnje Hercegovinë. Goran Haxhiç akuzohet për rolin e tij në përpjekjet për largimin e kroatëve nga rajonet e kontrolluara nga serbët gjatë luftës në Kroaci. Qeveria serbe dëshiron të anëtarsohet në Bashkimin Evropian. Anëtarsimi në këtë organizatë kërkon bashkëpunim të plotë me gjykatën për krime lufte. //rd//