Lidhje

A do të jetë raca faktor në hedhjen e votës në nëntor?


Senatori demokrat Barak Obama pritet të bëhet afrikano-amerikani i parë në historinë amerikane që merr emërimin e një partie të madhe politike si kandidat për president. Anketat tregojnë se zoti Obama ka epërsi ndaj rivalit republikan, senatorit John McCain. Sipas këtyre anketave, nëse zgjedhjet zhvillohen sot, zoti Obama mund të bëhej presidenti i parë afrikano-amerikan i Amerikës. Por anketat nuk janë në gjendje të marrin parasysh faktorin racë kur të hidhen votat në fshehtësinë e kutisë së votimit. Çështja që shtrojnë analistët është se sa të gatshme janë Shtetet e Bashkuara për një president afrikano-amerikan.

Në muajin mars, Barack Obama, kandidati që pritet të fitojë emërimin demokrat, komentoi për racën e tij dhe për ndikimin që kjo mund të kishte mbi zgjedhjet presidenciale. Komentet i referoheshin në atë kohë zgjedhjeve brenda Partisë Demokrate.

"Megjithë joshjen për ta parë kandidaturën time me një lente thjesht racore, ne arritëm fitore të rëndësishme në disa shtete që kanë popullsi ndër më të bardhat në Amerikë."

Barack Obama mori miliona vota nga demokratët e bardhë gjatë garave paraprake kundër senatores Hillari Klinton. Por tani ai është në një fushatë kombëtare kundër republikanit Xhon Mekein dhe shpreson të fitojë në shtete të cilat janë tradicionalisht republikane, si Virxhinia dhe Virxhinia Perëndimore. Po ashtu edhe në shtete si Pensilvania, të cilat janë tradicionalisht demokrate por ku votuesit e bardhë ia dhanë votën senatores Klinton në zgjedhjet paraprake.

Shumë njerëz në këto shtete kanë lënë të kuptohet se raca do të jetë faktor në zgjedhjet e nëntorit. Virxhinia Perëndimore është një shtet me një numër të madh punëtorësh të bardhë. Në qytetin Franklin, Steve Miller ka në pronësi një hotel dhe një restorant. Ai thotë se komuniteti i tij nuk do ta mbështesë Obamën.

"Nuk mendoj se kjo është diçka raciste por njerëzit në Virxhinian Perëndimore nuk janë të sigurt nëse janë gati për të patur një president afrikano-amerikan."

Kur zonja Klinton mposhti senatorin Obama në zgjedhjet e Virxhinias Perëndimore, një anketë tregonte se për çdo dy në dhjetë votues, raca ishte një faktor.

Ed Tallman, redaktor i një gazete në Franklin, thotë se e di se përse njerëzit në këtë shtet kanë një problem me Obamën.

"Kur një afrikano-amerikan ka pushtetin politik, shumë banorë në qytetet e vogla të Virxhinias Perëndimore mendojnë se me politikat e tij ai do të favorizojë më shumë zezakët se sa të bardhët."

84-vjeçari Xhef Bouman, pronar i një dyqani pajisjesh mekanike, thotë se Amerika është e gatëshme për një president afrikano-amerikan por shton se Obama ka të metat e tij.

"Ai nuk ka përvojën e duhur dhe kjo e dëmton më tepër se sa raca."

Vesla Uivër, profesore në Universitetin e Virxhinias ka studiuar nga afër çështjen se si votuesit reagojnë ndaj ngjyrës së kandidatëve.

"Në Shtetet e Bashkuara ekziston një prirje për të mos i vënë rëndësi racës ose për të mos krijuar përshtypjen se po voton bazuar mbi racën. Prandaj kur një votues ka përballë një kandidat të bardhë dhe një zezak, ai përpiqet të mos e marrë vendimin bazuar mbi racën."

Edhe shteti verilindor i Pensilvanisë ka një shtresë të gjerë punëtorësh të bardhë. Ky shtet, me më shumë se 8 milionë votues të regjistruar, ka rëndësi kritike për Obamën. Edhe këtu, zonja Klinton fitoi ndaj zotit Obama në zgjedhjet paraprake demokrate.

80-vjeçarja Lillian Kepler nga Luistauni i Pensilvanisë, thotë se problemi i saj me zotin Obama nuk ka lidhje me racën.

"Jo, jo sepse është zezak por se nuk i ka aftësitë e senatorit Mekein."

Por në kampuset universitare, edhe në shtetet jugore republikane, Obama është mjaft popullor mes studentëve.

Studentët e Universitetit të Virxhinias, Geoff Skelly dhe Chris Blank thonë se raca do të jetë një faktor në zgjedhje por jo për ata vetë.

"Mendoj se do të jetë një faktor për disa njerëz, por për një përqindje shumë të vogël votuesish që mund të vendosë ose jo fatin e zgjedhjeve."

"Sinqerisht mendoj se njerëzit që nuk do të votojnë për Obamën për shkak se është afrikano-amerikan, nuk do të votonin edhe sikur të ishte një demokrat tjetër. "

Zëri i Amerikës intervistoi dhjetra votues kudo në vend dhe shumica thanë se Amerika është e gatëshme për të zgjedhur një president afrikano-amerikan. Por vëzhguesit politikë thonë se është e vështirë të gjesh me saktësi se ç’mendojnë njerëzit për racën sepse shumë prej tyre e fshehin atë që ndjejnë realisht. Sipas vëzhguesve, shpesh votuesit nuk e kuptojnë se po ndikohen nga raca. //kk//

XS
SM
MD
LG