Organizata
Botërore e Shëndetësisë thotë se ushqimi vetëm me qumësht gjiri mund të
shpëtojë miliona jetë foshnjash çdo
vit. Në prag të Javës Botërore për ushqyerjen e fëmijëve me qumshtin e gjirit,
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e saj po promovojnë qumshtin e
nënës si mënyra më e mirë për të krijuar një bazë të shëndetshme në jetën e
mëtejshme të foshnjave.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon përdorimin e qumshtit të gjirit si ushqimin e vetëm deri në muajin e gjashtë të jetës së një fëmije. Sipas saj vazhdimi i mbajtjes së fëmijës në gji deri në moshën dy vjecare, do të pakësojë vdekshmërinë foshnjore, të shkaktuar nga infeksioni dhe kequshqyerja në vendet në zhvillim.
Organizata Botërore e Shëndetësisë llogarit se 3 milionë e gjysëm fëmijë vdesin çdo vit nga kequshqyerja. Sipas kësaj organizate deri në një milion e gjysëm fëmijë mund të shpëtohen, duke rritur metodën e ushqyerjes me gji.
Maria del Karmen Kazanovas punon në departamentin për Vlerat Ushqyese, Shëndetin dhe Zhvillimin pranë OBSH. Ajo thotë për Zërin e Amerikës, se qumshti i gjirit përmban vlera ushqyese, vitamina dhe minerale që nuk gjenden tjetërkund. Dhe këta përbërës përmirësojnë imunitetin kundër mjaft infeksioneve dhe sëmundjeve.
“Qumshti i gjirit mbron beben kundër të gjithë mikrobeve që mund ta prekin atë. Dhe, kjo është arsyeja që një fëmijë do të preket më pak nga diarreja, do të ketë më pak raste prekjesh nga infeksionet në rrugët e frymëmarrjes dhe gjithashtu do të ulen ndjeshëm rastet e vdekjes si pasojë e sëmundjeve të zakonshme të fëmijëvë, si diarreja dhe pneumonia”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë bën të ditur se qumështi i gjirit nuk është i rekomandueshëm në të gjitha rastet. Për shembull, nëse një nënë është e prekur me virusin HIV, ajo mund t’ia transmetojë sëmundjen fëmijës së saj nëpërmjet ushqyerjes me gji.
Por mjekja Kazanovas thotë se Organizata Botërore e Shëndetësisë beson se në mjaft vende ku virusi HIV është mjaft i përhapur, ende mund të jetë më mirë për nënat që të zgjedhin ushqyerjen me gji në vend të qumshtit të fabrikuar.
“ Nëse nëna është e prekur me virusin HIV, atëherë ajo ka nevojë që të marrë një vendim personal… rreziku i transmetimit të sëmundjes eksizton… por vdekja foshnjore nga sëmundje të tjera apo infeksione të tjera mund të jetë më e lartë se sa prekja nga HIV”.
Për shembull, mjaft vende në zhvillim nuk e kanë të pastër ujin e pijshëm, dhe përzierja e ujit të ndotur me qumshtin pluhur për bebe, është shkaku më i shpeshtë i vdekjes mes foshnjave.
OBSH thotë se
qumështi i gjirit është më i miri në botë, si në vendet e varfëra ashtu dhe në
ato të pasura. Studimet e reja thonë se qumështi i gjirit mund të mbrojë
fëmijët kundër sëmundjeve kronike edhe më vonë gjatë jetës së tyre. Fëmijët e
ushqyer me gji janë më pak të rrezikuar nga problemet me tensionin e lartë të
gjakut, me nivelin e lartë të kolesterolit, mbipesha dhe diabeti. //kk//