Lidhje

SHBA, vret veten njeriu që do të akuzohej për dërgimin e letrave me antraks


Një ish analist qeveritar i antraksit u gjend i vdekur, siç duket pasi kreu vetëvrasje, vetëm pak kohë para se ndaj tij të ngriheshin akuza se kishte dërguar letra që përmbanin antraks në vitin 2001. Njoftohet se prokuroria planifikonte të kërkonte denimin me vdekje kundër tij. 62 vjeçari Bruce Ivins para se të bënte vetëvrasje kishte punuar për 18 vjet në laboratorin shumë të njohur qeveritar për studime të rreziqeve biologjike.

Bruce Ivins për gati dy dekada kishte punuar në laboratorin e mirënjohur të ushtrisë amerikane në Fort Detrik. Avokati i tij tha se klienti i tij kishte bërë vetëvrasje. Njoftohet se ai vrau veten me një mbidozë ilaçesh. Vdekja e zotit Ivins ndodh ndërkohë që Departamenti i Drejtësisë po përgaditej ta arrestonte atë nën akuzat se kishte qenë i përfshirë në një seri sulmesh me antraks në vitin 2001. Në një intervistë para pak kohësh, drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve Robert Mueller thotë se ai besonte se po bëhej përparim në këtë çështje.

" Mendoj se hetimet po shkojnë si duhet dhe jam i bindur se do të përfundojnë me sukses." - tha ai

Letrat me antraks dërguar tre senatorëve dhe disa rrjeteve televizive në vitin 2001 shkaktuan panik të madh në mbarë vendin. Dy punëtorë të postës dhe tre të tjerë vdiqën nga infektimi me antraks. Zoti Ivins kishte marrë pjesë në hetimet fillestare për të gjetur fajtorin në këtë rast. Byroja Federale e Hetimeve e kishte përqëndruar hetimin e saj në laboratorin në Fort Detrick si burim i sulmeve me antraks.

"Unë nuk jam autori i sulmeve me antraks." - tha ai

Një punonjës tjetër i këtij laboratori, Steven Hatfill ishte një ndër të dyshuarit. Ai nuk u akuzua kurrë në këtë proces dhe Byroja Federale e Hetimeve u detyrua të paguajë rreth 6 milionë dollarë për të mbyllur procesin gjyqësor të zotit Hatfild, ku ai pretendonte si i ishte dhunuar jeta private dhe i kishin dëmtuar reputacionin.

Bruce Irvins i cili kreu vetëvrasje para pak ditësh nuk u akuzua zyrtarisht dhe autoritetet nuk japin shumë komente rreth këtij rasti.

XS
SM
MD
LG