Ministri i Jashtëm turk, Ali Babaxhan, ishte në Teheran për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje mbi tensionet e shkaktuara nga aspiratat bërthamore të Iranit. Turqia po luan një rol gjithnjë më aktiv për zgjidhjen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Në fillim të këtij viti u bë e ditur se Ankaraja kishte ndërmjetësuar bisedimet e paqes mes Sirisë dhe Izraelit.
Në prag të bisedimeve të rëndësishme mes Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar në Gjenevë në fillim të këtij muaji, ministri i jashtëm iranian, Manusher Motaki, vizitoi Ankaranë për bisedime me homologun e tij turk, Ali Babaxhan. Takimi u përqendrua tek programi bërthamor i Iranit dhe frika ndërkombëtare se Teherani po përpiqet të prodhojë bombën bërthamore, akuzë që Irani e hedh poshtë.
Ndërkohë që kriza vazhdon, Turqia e ka intensifikuar rolin e saj në ndihmë të zgjidhjes së tensioneve. Duke folur pas takimit me homologun e tij, zoti Motaki falenderoi Turqinë:
“Ai tha se ne vazhdojmë bisedimet dhe se Turqia i ka ndjekur gjithnjë veprimtaritë bërthamore të Iranit. Ai falenderoi Truqinë për qendrimin e saj konstruktiv ndaj këtyre veprimtarive.”
Zoti Babaxhan ka biseduar disa herë gjatë muajit të kaluar me zyrtarët në Iran dhe në Shtetet e Bashkuara, si dhe me përfaqësues nga gjashtë vendet që po negociojnë me Iranin rreth programit të tij bërthamor. Për zotin Babaxhan, besimi dhe qartësia janë qenësore për zgjidhjen e krizës.
“Ёshtë e rëndësishme që palët ta kuptojnë njëra tjetrën qartë, tha ai, duke shtuar se kishte pasur mundësinë të mësonte si mendimet e Iranit ashtu edhe ata të gjashtë vendeve. Ai tha se kjo çështje duhet zgjidhur përmes dialogut."
Ndërkohë që Turqia ka qenë aktive në ndërmjetësimin e krizave në të gjithë Lindjen e Mesme, zoti Babaxhan, e quajti rolin e vendit të tij si të pa-emër.
Gokan Çetinsaja nga Universiteti Teknik i Stambollit është ekspert në çështjet turko-iraniane dhe këshilltar jozyrtar i ministrisë së Jashtme. Ai thotë se është shumë e rëndësishme që Ankaraja të shihet si negociatore e besueshme.
“Mendoj se Turqia është në pozitë shumë unike. Irani e di se edhe Turqia ka gjëra për të humbur nëse do të ketë luftë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Prandaj Turqia është e sinqertë në këtë aspekt.”
Që kur në Turqi erdhi në pushtet partia me rrënjë islamike AK, udhëheqja e saj ka mbajtur lidhje të forta me pushtetarët në Lindjen e Mesme, ndryshe nga paraardhësit e saj, dhe ka zgjedhur të jetë aktive në rajon, thotë Soli Ozel, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Bilgi.
Në Irak, Turqia luajti rol të rëndësishëm në bindjen e udhëheqësve irakianë suni për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 2005-ës. Burime diplomatike thonë se Ankaraja ndihmoi në tejkalimin e një krize politike në Liban mbi zgjedhjet presidenciale. Ndërsa roli i Ankarasë në fillimin e bisedimeve mes Sirisë dhe Izraelit e përcaktoi tamam rolin e Turqisë në rajon.
“Ёshtë më shumë se një lajmëtare, dhe më pak se një ndërmjetësuese. Mendoj se Truqia lehtëson procesin dhe kjo tregon se palët pjesëmarrëse i besojnë asaj."
Ekspertët
thonë se tani për tani, Turqia duket se ka një pozitë unike për të qenë
ndërmjetësja më e ndershme në rajon. Megjithatë, ata shtojnë se fërkimet e
brendshme të vendit mund të kenë ndikim përtej kufijve të saj. //bsa//