Të dhënat e fundit nga qendra për kontrollin e sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara tregojnë se rënia e aktivitetit seksual mes nxënësve të shkollës së mesme mbeti e pandryshuar nga viti 2001 deri në 2007. Megjithatë, studimi gjeti të dhëna se veprimtaria seksuale mes nxënësve të shkollës së mesme mund të ketë filluar të rritet prapë, ndërsa përdorimi i prezervativëve të bjerë. Diskutimi për aktivitetin seksual të adoleshentëve dhe për përcjelljen e informacionit lidhur me të është një temë delikate. Le të ndjekim pjesën e tretë të serisë mbi edukatën seksuale.
“Është shumë e gabuar që të predikohet dhe financohet një program për moskryerjen e marrëdhënieve seksuale para martese, kur 95 për qind e amerikanëve kryejnë marrëdhënie para martesës”.
“Të dhënat shkencore tregojnë se programi për moskryerjen e marrëdhënieve para martese nuk funksionon”.“Truri i adoleshentëve nuk është krejtësisht i zhvilluar. Ata nuk mund të kuptojnë pasojat dhe realitetin e pasojave të vendimeve të gabuara, veçanërisht në lidhje me aktivitetin seksual”.
“Nuk do të shkojmë më në kinema, ose për darkë me shoqet, as në festa, ose dyqane”.
Kjo nënë adoleshente jeton në Gloucester të Masaçusetsit, një fshat pershkatarësh në brigjet e Atlantikut. Fjalët e saj pasojnë njoftimet se 17 shoqe të saj mbetën shtatzënë këtë vit. Kjo ngjarje nxjerr në pah përsëri çështjen e edukatës seksuale në shkolla.
Kjo çështje është nga më të debatueshmet në arsimin amerikan. Dy janë pikat kryesore të debatit: e para, që edukata seksuale duhet të mbështetet vetëm tek diskutimi i moskryerjes së marrëdhënieve seksuale dhe të mirat e këtij qëndrimi, Ndërsa tjetra, bën fjalë për të mirat e shmangies së këtyre marrëdhënieve, por me një theks më të madh tek kontraceptivët dhe përdorimi i masave mbrojtëse.Në vitet 1980 epidemia e Sidës e vuri në qendër të debatit këtë çështje. Pyetja që vazhdon të mbetet është se çfarë informacioni duhet t’u vihet në dispozicion nxënësve të shkollave?
Shelby Knox është një 21 vjeçare që dëshmoi para Kongresit këtë pranverë. Ajo vjen nga një familje shumë konservatore dhe fetare në Lubbock të Teksasit. Ajo është tani zëdhënëse e organizatës Avokatët për Rininë, e cila beson në një program të zgjeruar për edukatën seksuale. Ja si iu prezantua asaj në shkollë tema e edukatës seksuale.
“Qyteti ku u rrita unë kishte një program që vetëm nxiste moskryerjen e marrëdhënieve seksuale. Kështu, një prift vinte dhe prezantonte një variant fetar të këtij programi dhe ishte po ai që sillte programin jofetar. Ai jepte informacione të pasakta: Si për shembull që sëmundjet seksuale mund të transmetoheshin duke shtrënguar duart me dikë, apo se gjysma e djemve të rinj homoseksualë vuante nga Sida”.
Vitet e shkollës së mesme të Shelbyt ishin tema e dokumentarit “Edukimi i Shelby Knoxit”. Ajo thotë se gjatë këtyre tre vjetëve këndvështrimi i saj për jetën ndryshoi.E njëjta gjë ndodhi edhe në shumë shkolla në gjithë Shtetet e Bashkuara
Në distriktin Montgomery të Merilendit, pranë Uashingtonit ndryshimet erdhën me futjen e një programi të ri për edukatën seksuale në vitin 2007. Por jo të gjithë prindërit ishin dakord me programin.
Një organizatë e quajtur Qytetarët për një Program të Përgjegjshëm thotë se theksi i programit ishte i gabuar.
Një nga prindërit që bëjnë pjesë në këtë organizatë është Michelle Turner.
“Në thelb ata po i ekzagjerojnë aftësitë mbrojtëse të kontraceptivëve dhe prezervativëve nga shtatzanitë dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme”.
Ka prindër amerikanë që i kthejnë edhe në rite premtimet për të mos kryer marrëdhënie. Ceremoni të veçanta për pastërtinë dhe paprekshmërinë ende praktikohen në Amerikë, për të nxitur mungesën e marrëdhënieve deri në martesë. Ka të gjitha ritualet e një martese me tortë, premtime dhe vallëzim por në vend të t’i lënë vajzat të ikin, baballarët i mbajnë pas vetes.Një nga përkrahësit më të fortë të moskryerjes së marrëdhënieve seksuale deri në martesë, është senatori Sem Braunbek, baba i pesë fëmijëve.“Si shumë prindër të tjerë, unë dua që ata të mos kryejnë marrëdhënie para se të martohen”.
Studimi i Institutit për Kërkime Shoqërore në Universitetin e Kolumbias tregon se afro 90 për qind e atyre që zotohen të ruajnë virgjërinë, e shkelin premtimin. Po pse ndoh kjo?
Xhejms Uagoner është president i Avokatëve për Rininë, një grup që mbështet një edukatë të zgjeruar seksuale.“Të rinjtë janë kudo njëlloj. Kërkojnë të krijojnë lidhje me njëri-tjetrin. Marrëdhëniet sociale të çojnë në ato seksuale. Është e vërtetë që adoleshentët janë më të prirur të kenë marrëdhënie seksuale nga ana biologjike. Por të thuash që ky është i vetmi faktor, do të thotë të mos ta kuptosh natyrën e të rinjve”.
Çështja e edukatës seksuale, është një
debat që vazhdon në Amerikë dhe nuk ka përgjigje të prera. //bsa//