Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish Jugosllavi, shpalli fajtor dhe e dënoi me gjobë prej shtatë mijë Eurosh, afro 11 mijë dollarë amerikan, gazetarin nga Prishtina Baton Haxhiu.
Ai u dënua për "mospërfillje të Gjykatës dhe rrezikim të sigurisë së dëshmitarit dhe familjes së tij". Prokuroria e Gjykatës së Hagës kishte kërkuar dënimin e tij me 15 mijë Euro, nën akuzën për publikimin e emrit të një dëshmitari të mbrojtur në procesin gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në, muajin prill të këtij viti, zoti Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura kundër tij nga Gjykata e Hagës.
Gazetari Haxhiu, ish drejtor i gazetës së përditshme "Express" në Prishtinë, ka deklaruar gjatë procesit gjyqësore se është i pafajshëm dhe se "identiteti i dëshmitarit të mbrojtur i përmendur në një tekst të tij, ishte i njohur për të gjithë.
Gjykatësi Alfons Orie, duke lexuar vendimin për dënimin e tij, tha se publikimi i identitetit të dëshmitarit në artikullin e Baton Haxhiut, ka rrezikuar atë dhe anëtarët e familjes së tij, si dhe ka penguar procesin gjyqësor ndaj Haradinajt dhe të tjerëve.
Por gjykata ka marrë parasysh edhe siç thuhet, bashkëpunimin e zotit Haxhiu, i cili në të kaluarën ka marrë pjesë në cilësinë e dëshmitarit në procesin kundër ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç.
Zoti Haxhiu është njëri nga tre personat e akuzuar për shpërfillje të Gjykatës, ish Ministri i Kulturës në qeverinë e Kosovës, Astrit Haraçija dhe këshilltari i tij, gazetari Bajrush Morina janë në pritje të fillimit të procesit gjyqësor kundër tyre, nën akuzat për ushtrim ndikimi mbi një dëshmitar të mbrojtur në procesin kundër ish kryeministrit Haradinaj.//lk