Parlamenti i Shqipërisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë po përpiqen të shpjegojnë një incident të ndodhur një javë më parë, kur disa diplomatë patën vështirësi në ndjekjen e seancës plenare në vendet e caktuara për ta.
Ambasadori i SHBA në Tiranë, Xhon Uidhers, shprehu shqetësim të thellë për pengesat që ju nxorrën në seancën parlamentare të së enjtes përfaqesuesve të ambasadës së SHBA dhe diplomatëve të tjerë, në ndjekjen e punimeve të Parlamentit.
Ambasadori Uidhers i dërgoi një letër Kryetares së Parlametit, Jozefina Topalli, ku shpjegon, se si përfaqesues të Ambasades amerikane dhe diplomate të tjerë, u dëbuan nga zona e vendeve diplomatike në Parlament, përpara se Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, të paraqiste raportin e saj vjetor.
"Dëbimi i stafit amerikan nga zona e posteve diplomatike - shkruan ambasadori Uidhers në letrën për zonjën Topalli - ngre dyshime serioze mbi angazhimin e parlamentit për të qenë i hapur dhe transparent, si edhe per bashkëpunim në mbështetje të sistemit gjyqësor".
Ambasadori Uidhers i kërkoi Kryetares se Parlamentit, Jozefina Topalli, që të mos përsëritet ky incident, i cili ka shkaktuar një shqetësim të thellë. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, i ka kujtuar Kryetares së Parlamentit, Topalli, se qeveria amerikane i ka siguruar burime të mjaftueshme financimi qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin, përmes reformimit të sistemit gjyqësor. Ai theksoi gjithashtu, se prania e diplomateve amerikanë gjatë seancave parlamentare është edhe një shfaqje publike e mbështetjes për Parlamentin dhe Prokurorine e Përgjithshme, në atë që duhet te jetë një objektiv i përbashkët.
Ndërkohë, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, u shpreh se ndryshimi i vendeve te diplomateve nga llozha në galeri, ka qene nje keqkuptim administrativ.
Parlamenti shqiptar publikoi në faqen e vet të internetit dy letra që zonja Topalli ua dërgon ambasadorit amerikan Uidhers dhe atij të OSBE-se, Bosh, ku shpreh garancitë e saj se të tilla keqkuptime administrative nuk do të përsëriten.
Kryetarja e Parlamentit, Topalli, thekson se nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë, që të largohet njeri nga punimet e parlamentit. “Kuvendi i Shqipërisë - thuhet në letër - ndihet i nderuar të mirëpresë titullarë të Trupit Diplomatik, ambasadorë, shefa misionesh në punimet e Parlamentit”.
Zonja Topalli thotë se punimet e Parlamentit shqiptar jane bërë transparente më shumë se kurrë, duke përfshirë edhe orë të tëra transmetimesh të drejtpërdrejta edhe në disa kanale televizive.
Ajo thotë, se Parlamenti dhe të gjithë shqiptarët, ushqejnë një mirënjohje të thellë ndaj miqësisë së palëkundur dhe mbështetjes që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve.//lk