Lidhje

Sejdiu në Uashington falënderon SHBA-në për mbështetjen ndaj Kosovës


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi vazhdojnë vizitën zyrtare në Uashington, gjatë së cilës do të takohen të hënën me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë. Udhëheqësit e Kosovës u takuan të premten me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs. Sekretarja e Shtetit ritheksoi angazhimin amerikan për të ndihmuar shtetin e ri të Kosovës të ngrejë institucionet demokratike. Kjo është vizita e parë zyrtare në Washington e Presidentit Sejdiu dhe Kryeminsitrit Thaçi që pas shpalljes së pavarësisë.


Zëri i Amerikës: Zoti president, cilat janë përshtypjet e deritanishme nga takimet me zyrtarët amerikanë?

Fatmir Sejdiu: Mund të them që është një vizitë jashtëzakonisht e rëndësishme, mund t’a quaja historike, sepse Shtetete e Bashkuara të Amerikës tash e dy dekada janë në mbështetje të thellë të popullit të Kosovës, gjithë qytetarëve të Kosovës dhe prespektivës së tyre. Duke pasur parasysh dhe investimet e jashtëzakonshme që janë bërë në periudha të ndryshme kohore, deri dhe me ndërhyrjen e mëvonshme ushtarake, si dhe këtë periudhë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm, dhe për rigjenerimin ekonomik të Kosovës. Me këtë rast dua të them se dy takimet e ditës së premte, ishin të kësaj natyre, ne morëm dhe një herë një konfirmim shumë të fuqishëm nga zonja Rice, Sekretarja Amerikane e shtetit, në mbështetje të zhvillimeve të përgjithshme të Kosovës, në mbështetje të ndërtimit efikas të institucioneve demokratike të Kosovës, dhe në mbështetje të prespektivës së qytetarëve. Nga ana jonë ne shprehëm gatishmërinë tonë të veçantë, për të mbushur zotimet që kemi dhënë, edhe gjatë procesit të bisedimeve të gjata dhe të vështira që kemi patur gjatë periudhës së presidentit Ahtisari, por edhe me treshen ndërkombëtare, dhe themi se ai projekt ka qenë i mbështetur ndërkombëtarisht edhe nga SHBA edhe nga shumica e vendeve të BE, por nga vende të tjera fatëkeqësisht nuk kishte një votë mbështetëse në Këshillin e Sigurimit. Megjithatë, Kosova eci në rrugën e vet, dhe përmbyllja e 17 shkurtit me artikulimin në kuvendin e Kosovës, dhe votën e deputetëve, ne kemi hyrë në një rrafsh të ri të zhvillimeve, që do një intesifikim të të gjithë aksioneve tona, por natyrisht që do dhe një bashkëpunim të thellë ndërkombëtar, në këtë rast me SHBA-në që gjithmonë ka qenë pranë e do të jenë pranë dhe në procese të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju po merrni mbështetjen e fortë të zyrtarëve amerikanë për shtetin tuaj të ri, cilat janë përgjegjësitë që dalin përpara klasës politike në Kosovë, përpara udhëheqjes së saj?

Fatmir Sejdiu: Unë them se ne, krejt këtë pjesë të rrugës sonë, e konsiderojmë si pjesë të sfidave të vazhdueshme, Dhe nuk mund të them që kemi hyrë në një horizont ku gjithçka do të jetë në rregull në kuptimin e kryerjes së borxheve ndaj qytetarëve të Kosovës, për një jetë më të mirë të tyre, për një zhvillim më të shpejtë dhe në aspektet e tjera, por është shumë me rëndësi të jemi shumë të përgjegjshëm në realizimin e projektit politik, që Kosova të jetë atdhe i dashur i të gjithë qytetarëve të saj, që Kosova të ketë një zhvillim të shpejtuar, që Kosova të nxisë hapat e vetvetes për të qenë e integruar në BE dhe në NATO. Në këtë kuadër është me shumë rëndësi të themi që ishte një impuls i jashtëzakonshëm dhe Konferenca e Donatorëve ku i është dhënë një ndihmë e jashtëzakonshme Kosovës, në datën 11 të këtij muaji, dhe mund të them se paralelisht është dhe përkushtimi ynë , që këto mjete të shfrytëzohen në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme; ndaj dhe sekretares së Shtetit zonjës Rice, dhe Sekretarit të Mbrojtjes, zotit Gejts, ua dhamë këtë përkushtim, sikurse do t’ia prezantojmë dhe Presidentit Bush këtë qasje që kemi për të qenë të përgjegjshëm, që çdo cent, flas dhe në kuptimin e shfrytëzimit të mjeteve si ndihmë, por dhe të pjesës së fondeve tona nga buxheti i Kosovës, dhe të ecjeve të tjera, t’i bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Kosova është njohur deri tani nga më shumë se 40 shtete. Si po ecën procesi i njohjes së Kosovës, nga cilët shtete prisni të njiheni më tej?

Fatmir Sejdiu: Ne kemi tash 43 shtete që kanë bërë konfirmimin e tyre për njohjen e Republikës së Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur dhe natyrisht një dyzinë e tyre është përcaktuar në po të njëjtën kohë për vendosjen e marrdhënieve diplomatike, në nivele ambasadash apo në nivele më të larta të mundshme, ne presim që në këtë periudhë të kemi dhe njohje të tjera, duke u angazhuar jashtëzakonisht, si institucionet e Kosovës, por paralelisht dhe miqtë e Kosovës; duke pasur parasysh një rol të veçantë e të pashkëputshëm të SHBA-së në këtë drejtim, të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë apo dhe të vendeve të tjera të BE-së, sepse mund të them që është një projekt i përbashkët, kjo përmbyllje e sukseshme që është bërë e koordinuar me institucionet ndërkombëtare dhe me vendet me influencë, do dhe punën e vet për t’u përmbyllur me një cikël të ri të njohjes nga shtete të tjera, për të krijuar mundësinë që Kosova të antarësohet nga mekanizma ndërkombëtarë, duke nisur nga ata monetarë, e deri tek niveli i OKB-së. Them se ka sinjale të mira…!

Zëri i Amerikës: Kosova ndodhet përpara një sërë sfidash për konsolidimin e saj si shtet i ri. Kritika janë bërë për korrupsionin, për drejtësinë të cilat nuk janë në nivelin e duhur. Çfarë masash duhet të marrë udhëheqja dhe shoqëria kosovare, që këto fenomene mos të thellohen më tej e mos të bëhen pengesë për zhvillimin e vendit në të ardhmen…

Fatmir Sejdiu: Është e vërtetë që çdo vend apo shtet në linjën e tij, ka probleme apo sfida që janë barrë për qytetarët, por në rradhë të parë për institucionet e tij; mund të them që përballë fenomeneve të natyrës së tillë dhe shteti i Kosovës, nuk mund të jetë imun. Mendoj se pikërisht në dy nga sferat më të rëndësishme do të ketë investime të posaçme, ajo që lidhet me sigurinë dhe me sundimin e ligjit, por paralelisht mendoj se është përgjegjësi e të gjithë institucioneve, sepse nuk mund të ndaj për shembull çështjen e fenomenit të korrupsionit apo të abuzimeve, vetëm në moszbatimin e vendimeve gjyqësore, dhe parandalimin e krimit të organizuar apo formave të tjera. Në këtë kuadër mendoj se ndihmesë do të na japë dhe prania e re ndërkombëtare në Kosovë, EULEX-i, por dhe në vazhdimin e mëtejshëm me SHBA-në si një partner i rëndësishëm në këtë proces.

Zëri i Amerikës: Ditën e hënë ju keni takim me Presidentin Bush, çfarë prisni nga një takim i tillë?

Fatmir Sejdiu: Them se është kulmimi i qëndrimit të SHBA-së ndaj Kosovës dhe ndaj qytetarëve të saj, dhe mund të them se në të njëjtën kohë është një rezultat i jashtëzakonshëm dhe njohje e punës që ne kemi bërë, në partneritet të vazhdueshëm dhe të thellë në këtë ecje të rëndësishme dhe jo të lehtë që ka pasur Kosova. Ne presim që Presidenti Bush të mbështesë këtë qasje që ne kemi pasur, sepse sinjalet janë rezultat i bashkëpunimit të thellë të deritanishëm, e nga ana tjetër të kemi zotimin për mbështetjen e mëtejshme të zhvillimit të Kosovës, flas në horizonte të reja, që kanë të bëjnë posaçërisht me rigjenerimin e Kosovës, por dhe me aspektet e tjera që lidhen me demokracinë në Kosovë, sigurinë dhe me integritetin e plotë territorial të Kosovës. Them se këto janë pjesë e sfidave tona por dhe përkushtim esencial dhe i parezervë i SHBA-së.

XS
SM
MD
LG