Kreu i
programit amerikan për mbrojtjen nga raketat thotë se retorika e ashpër ruse
për këtë sistem është e pajustifikueshme dhe dislokimet e planifikuara në
Evropë nuk përbëjnë kërcënim për Rusinë dhe mbrojtjen e saj.
"Kur ata bëjnë deklarata
agresive, u takon atyre të ofrojnë argumentet për këto deklarata, pasi ne nuk
shohim absolutisht asnjë arsye për qëndrimin rus dhe shqetësimet që Moska ka
shprehur për dislokimet e planifikuara," tha zoti Obering.
Gjenerali Obering u tregoi gazetarëve video për disa prova të suksesshme për interceptimin e raketave dhe shpjegoi mënyrën si funksionon sistemi i dislokuar në tokë ose në det për të interceptuar raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi në Paqësor dhe Evropë. Shtetet e Bashkuara thonë se sistemi evropian është projektuar për mbrojtje nga aftësitë sulmuese të Iranit. Zyrtarë amerikanë të zbulimit thonë se Irani ka tashmë raketa që mund të arrijnë territorin izraelit dhe pjesën lindore të Evropës. Këto raketa, Teherani i vuri në provë javën e kaluar dhe deri në vitin 2015 mund të prodhojë raketa që janë të afta të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.
Interceptorët amerikanë shkatërrojnë raketat sulmuese duke i goditur me raketa prej metali. Gjenerali Obering tha se mënyra si janë projektuar këto raketa e bën të vështirë që ato të përdoren për sulme, siç shqetësohet Rusia:
"Këto raketa nuk përmbajnë mbushje plasëse. Nëse do t'i shndërronim në raketa sulmuese, ky fakt do të shikohej qartë nga kushdo. Nuk kemi plan ta bëjmë një gjë të tillë; nuk kemi arsye përse."Javën e kaluar, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Republika Çeke nënshkruan marrëveshjen për vendosjen në territorin çek të një radari interceptues, Ministria e Jashtme ruse nxori një deklaratë, në të cilën theksonte se nëse marrëveshja ratifikohej, Rusia do të kundërpërgjigjej me ato që i cilësoi si "metoda teknologjike-ushtarake." Gjenerali Obering tha dje se nuk e ka të qartë se çfarë nënkupton kjo frazë.
Ai theksoi përsëri ofertën amerikane për të mos vënë në funksionim sistemin evropian të mbrojtjes nga raketat, derisa Irani të vërë në provë një raketë me rreze të gjatë veprimi dhe u ofroi zyrtarëve rusë mundësinë të mbikqyrin pikat e lëshimit të raketave dhe të dislokimin të radarit. Ai hodhi poshtë pretendimet ruse se radari do të ndërhynte në hapësirën ajrore ruse, duke thënë se ky radar ndjek vetëm aktivitetin në një lartësi shumë të madhe, mbi 250 kilometra mbi tokë.
Qendra e lëshimit të raketave është
planifikuar të ngrihet në Poloni. Zyrtarët amerikanë thonë se negociatat me
Poloninë thuajse kanë përfunduar, por nëse ato dështojnë, kjo qendër do të
zhvendoset në një vend tjetër, si për shembull Lituani. //ad//