Kompania amerikane e prodhimit të makinave, General Motors, po e
shkurton prodhimin e kamionëve, si dhe koston e vendeve të punës, në
përpjekje për të përballuar pakësimin e numrit të shitjeve dhe rritjen
e çmimit të naftës.
Shefi
Ekzekutiv i kompanisë, Rick Wagoner, e bëri të njohur planin sot në
qytetin e Detoriti, ku ndodhet qendra e kompanisë. Në plan përfshihen
shkurtimi i shpenzimeve për punonjësit, si përfitimet shëndetësore dhe
pensionet, me 20 për qind. General Motors po ashtu ka në plan të shesë
disa nga pronat, me vlerën e 4 miliardë dollarëve dhe të marrë hua dy
miliardë dollarë të tjerë. Zoti Wagoner thotë se këto masa synojnë të
krijojnë fonde me vlerën e 15 miliardë dollarëve për të mbuluar humbjet
e krijuara deri tani.
Plani po ashtu përfshin pakësimin e mëtejshëm të
prodhimit të kamionëve të mëdhenj dhe automjeteve sportive. General
Motors nuk po prodhon makina të mëdha, që kur konsumatorët filluan të
kërkojnë makina më të vogla, që shpenzojnë më pak karburant. Në gjysëm
e parë të këtij viti shitjet e kompanisë ranë me 16 për qind, ndërsa
shitja e kamionëve ka rënë me 20 për qind.//rd//