Media nga Lindja e Mesme njofton se kandiati presidencial i Partisë Demokrate senatori Barak Obama do të vizitojë javën e ardhshme Izraelin dhe Bregun Perendimor gjatë një vizite të rëndësishme jashtë vendit. Gjatë kësaj vizite senatori Obama do të vizitojë edhe Irakun, Afganistanin dhe disa vende në Evropë.
Fushata e senatorit Obama lëshoi një deklaratë e cila jep disa hollësi rreth itinerarit të tij por zyrtarë izraelitë dhe palestinezë thonë se ai do të zhvillojë takime të veçanta me kryeministrin izraelit Ehud Olmert dhe presidentin palestinez Mahmud Abaz. Kundërshtari i tij republikan, senatori Xhon Mekejn bëri një vizitë të ngjashme në mars të këtij viti dhe ka vizituar Irakun vazhdimisht që nga viti 2003, kur Shtetet e Bashkuara sulmuan këtë vend.
Senatori Obama ka qenë vazhdimisht një kritik i ashpër ndaj administratës së presidentit Bush dhe politikës së tij të jashtme dhe sidomos ndaj luftës në Irak. Analisti politik Larry Sabato, i cili udhëheq Qendrën për Politika në Universitetin e Virxhinias thotë se vizita e pritshme e senatorit Obama është shumë e rëndësishme për të, duke pasur parasysh përvojën e tij të kufizuar në mardhëniet ndërkombëtare.
"Ai ka kritikuar politikën amerikane në Irak. Ai duhet ta shohë gjendjen nga afër. Senatori Obama nuk ka qenë në Irak për një kohë të gjatë. Është me rëndësi që të takohet me udhëheqës botërorë, me të cilët duhet të bashkpunojë nëse i fiton zgjedhjet."
Analisti Sabato e përshkruan këtë vizitë si të rrezikshme por që mund të sjellë shumë përfitime. Kjo vizitë ose do të eliminojë dyshimet lidhur me eksperincës e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare, ose do ta dëmtojë nëse bën ndonjë gabim, thotë ai.
Sondazhet në arenën ndërkombëtare tregojnë se senatori Obama ka një përkrahje të madhe në shumë vende. Analisti Sabato thotë se ai mendon se senatori Obama do të pritet shumë mirë në shumicën e vendeve që do të vizitojë e sidomos në Evropë. Udhëheqësit e huaj do të kenë qëllimet e tyre duke pasur parasysh se ata po takohen me një politikan që ndoshta do të bëhet presidenti i ardhshëm amerikan.
"Ata do të dëshirojnë të vendosin mardhënie të mira me të. Do të dëshirojnë ta impresionojnë atë dhe të paraqesin idetë e tyre rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe dhe çështje me të cilat ai do të duhet të merret nëse zgjidhet president."
Në fillim të kësaj jave senatori Obama përsëriti vendosmërinë e tij për të filluar tërheqjen graduale të trupave amerikane nga Iraku dhe të përqëndrojë përpjekjet e ushtrisë amerikane kundër Al Kaidës dhe Talebanëve në Afganistan. Në një artikull në gazetën prestigjioze New York Times, senatori Obama shkruan se përparimi i vërtetë politik në Irak mund të arrihet vetëm atëherë kur Shtetet e Bashkuara të caktojnë një datë për të filluar tërheqjen e trupave, por e pranon se kjo strategji do të modifikohet në përputhje me sugjerimet e komandantëve ushtarakë amerikanë.
Senatori Mekejn e kritikoi
ashpër senatorin Obama për kundërshtimin e tij ndaj shtimit të trupave
amerikane në Irak, që është vlerësuar si faktor në uljen e dhunës dhe ka
sjellur stabilitet në këtë vend. Senatori Mekejn nuk pranon idenë e caktimit të
një afati kohor për tërheqjen e trupave nga Iraku duke thënë se kjo do të
forconte dhe inkurajonte armiqtë e Shteteve të Bashkuara. //ad//