Lidhje

Shqipëri: Vazhdon debati në KLD, reagon Ministri i Drejtësisë


Duket se do të zgjasë ende dhe për shumë kohë debati që ka shpërthyer në gjirin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë mes nënkryetarit, Kreshnik Spahiu, dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Të dy po shkëmbejnë replika të forta në distancë. Nga njëra anë ata pranojnë se debati është krijuar artificialisht, por nga ana tjetër fajësojnë njeri tjetrin si nxitës të situatës së tensionuar që është krijuar së fundmi.

Deklarimet e djeshme të nënkryetarit Kreshnik Spahiu në Zërin e Amerikës kanë bërë që ministri i Drejtësisë të përgjigjet në mbrëmje. Sipas zotit Spahiu kërkesa e ministrit për verifikimin e ligjshmërisë së ushtrimit të detyrës së nënkryetarit të Këshillit është një veprim antikushtetues. Këshilli e hodhi poshtë me votim kërkesën por ministri Alibeaj këmbëngul se votimi ka qenë i gabuar dhe në shkelje të ligjit.

Edhe në reagimin e mbrëmshëm ai shprehet se "është në nderin dhe seriozitetin e zotit Spahiu dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të pranojë procesin e verifikimit, sepse ky proces do të vazhdojë në KLD". Ministri madje paralajmëron se nëse nuk do të bëhet dicka e tillë atëherë do të gjenden mekanizma të tjerë. "Nëse zoti Spahiu do të vazhdojë të fshihet pas 'votimeve'antiligjore, ky proces verifikimi do të bëhet nga organe të tjera ligjore dhe kushtetuese", lexohet në deklaratën për shtyp.

Debati arriti pikën e tij më të nxehtë pasi nënkryetari i Këshillit të Lartë njoftoi se pas një inspektimi të bërë nga Këshilli ka rezultuar se tre gjyqtarë të Apelit në Durrës kishin liruar në shkelje të ligjeve Mihal Delijorgjin, pronarin e shoqërisë që kryente çmontimet në Gërdec dhe se për këtë ishte kërkuar procedim disiplinor ndaj tyre.

Ministria e Drejtësisë fillimisht reagoi duke deklaruar se asnjë gjyqtar nuk mund të paragjykohet pa zotëruar më parë provat dhe faktet. Më pas ministri megjithatë firmosi nisjen e procedurave kundër gjyqtarëve dhe pak ditë më parë propozoi shkarkimin e tyre, kërkesë e cila sipas tij, nuk ishte në raportin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe as në propozime për ndjekje penale apo procedim disiplinor.

Në momentet kryesore të këtij debate ndërhyri me anë të një letre nga burgu Mihal Delijorgji, një ndër tre të arrestuarit për tragjedinë e Gërdecit, duke sulmuar nënkryetarin e këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në bisedën me Zërin e Amerikës zoti Spahiu tha se në këtë situatë "qendrimi ndaj Kreshnik Spahiut do të jetë një test nëse shteti do të mbajë anën e Drejtësisë apo anën e Mihal Delijorgjëve".

Por ministri i Drejtësisë, Alibeaj, iu përgjigj insinuatave të zotit Spahiu duke deklaruar se nga procesi i verifikimit nënkryetarin e KLD-së, Spahiu, nuk do të mbrohet as duke u fshehur pas Delijorgjit por as pas "Ben Qimes", nofka e një personazhi që konsiderohet si një eksponent në botën e krimit dhe që u arrestua pak javë më parë. Nuk është e qartë perse përmendet ky emër në deklaratën e ministrit por insinuata për një lidhje të mundshme është e drejtpërdrejtë.

XS
SM
MD
LG