Udhëheqësit e vendeve kryesore ekonomike të botës ranë dakord për një objektiv afat-gjatë për të pakësuar çlirimin e gazit karbonik, i cilësuar si shkaktari kryesor i ngrohjes globale. Zyrtarët thonë se ky plan është hapi i parë, drejt krjimit të një konsesusi, por mbrojtësit e mjedisit thonë se planit i mungojnë masat konkrete. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kurt Achin njofton nga qyteti Rusutu i Japonisë.
Pas një dreke pune të udhëheqësve të Grupit të Tetëshes, në qytetin Tojako,
Kryeministri japonez Jasuo Fukuda bëri të ditur synimin afat-gjatë për ngrohjen
globale.
“Kryeministri japonez thotë se vendet e 8-shes, ranë dakort të përgjysmojnë çlirimin e gazit karbonik deri në vitin 2050”.
Përgjysmimi i gazit karbonik është edhe synimi kryesor që përfshihet në deklaratën prej 18 pikash që udhëheqësit lëshuan të martën gjatë takimit të tyre treditor.
Por disa elementë kryesorë të marrëveshjes së mjedisit, janë lënë të hapura për t’u interpretuar nga vendet nënshkruese. Për shembull, pakësimi me 50 përqind nuk është i lidhur me nivelin e një viti të caktuar. Vendet anëtare mund ta përgjysmojnë çlirimin e gazit karbonik duke marrë për bazë nivelet e 2008, ose, për ato që duan të jenë më ambicioze, të përgjysmojnë nivelet e ndotjes të vitit 1990, kur çlirimi i këtij gazi ishte më i ulët.
Marrëveshja e 8-shes për mjedisin, po ashtu nuk përmend objektiva konkrete për pakësimin afat-mesëm dhe afat-gjatë të gazit karbonik, duke u kërkuar vendeve të veçanta t’i formulojnë vetë kuotat.
Drejtori për Çështjet Globale, në Ministrinë e Jashtme japoneze, ambasadori Koji Tsuruoka, thotë se marrëveshja është e gjerë dhe jo e detyrueshme me ligj.
“Marrëveshja është kryesisht një vizion politik. Tetëshja po përpiqet si grup të angazhojë edhe pjesën tjetër të botës.”
Udhëheqësit shpresojnë të tërheqin vende si Kina dhe India, ekonomitë e të cilave vazhdojnë të zgjerohen. Ekspertët kanë shprehur shqetësim se rritjet e larta ekonomike të këtyre vendeve do të shoqërohen me rritje të ndjeshme të çlirimit të gazit karbonik. Disa udhëheqës, përfshirë Presidentin Bush, kanë thënë se një marrëveshje për mjedisin, pa përfshirë në të Kinën dhe Indinë është e destinuar të dështojë.
Pa kaluar veçse disa orë nga nënshkrimi i marrëveshjes, Ministri jugafrikan i Mjedisit, e kritikoi atë si një “sllogan bosh”, për shkak të mungesës së masave konkrete. Marrëveshja po ashtu u prit ftohtë nga veprimtarë të mjedisit si Ben Uikler.
“Vendet e 8-shes humbën një rast të mirë. Gjuha e përdorur nga Grupi i Tetëshes në marrëveshjen për të parashtruar synimin e tyre nuk mund të kishte qenë më e mjegulltë.”
Çarles Abani është një aktivist me grupin “Përpjekja Globale për t’i Dhënë Fund Varfërisë”. Mungesa e kuotave konkrete për pakësimin e gazeve, thotë ai, tregon se vendet e pasura nuk janë të shqetësuara aq seriozisht për ngrohjen globale.
“Në Afrikë, ne po i ndjemë pasojat. Ato shihen në basinin e Çadit, në veri të Kenias, dhe në shumë rajone në jug të Afrikës. Parashikimet flasin për një rënie prodhimi deri në 20 përqind. Dhe megjithatë, në takime të tilla mungojnë kuotat konkrete.”
Një tjetër aktivist, Filip Klep, thotë se Grupi i 8-shes, pati një mundësi të mirë të vihej në krye të këtyre përpjekjeve, megjithë shembullin negativ të viteve të fundit.
“Problemi kryesor për ndryshimet klimatike vazhdon të jetë mungesa e vullnetit të vendeve të zhvilluara për të marrë masa serioze për pakëzimin e gazeve. Janë pikërisht këto vende, që janë burimi i pjesës më të madhe të ndotjes, që ekziston sot në atmosferë dhe, që kolektivisht, janë ndotësit më të mëdhenj.”
Udhëheqësit e 8-shes, thonë se do të diskutojnë për ndryshimet klimatike me ekonomitë e reja në lindje si Kina dhe India. Nga këto bisedime pritet të dalë korniza e një takimi të OKB-së vitin e ardhshëm, që synon të hartojë një marërveshje globale për ndryshimet klimatike.//rd//