Lidhje

Bejker, Kristofer, kërkojnë ndryshimin e procedurës së vendimit për të shkuar në luftë


Dy ish sekretarë shteti po rekomandojnë që Shtetet e Bashkuara t’i ndryshojnë procedurat e marrjes së vendimit për të shkuar në luftë:

Ish-sekretarët Xhejms Bejker dhe Uorren Kristofer thonë se një presidenti amerikan i duhet kërkuar me ligj të konsultohet me Kongresin para se ta çojë vendin në luftë. Ata kërkojnë gjithashtu, që Kongresi ta miratojë, apo kundërshtojë këtë veprim, brenda 30 ditësh.

Zoti Bejker ka qenë sekretar shteti kur President i Shteteve të Bashkuara ishte Xhorxh Herbert W. Bush, babai i presidentit të tanishëm dhe zoti Kristopher mbante të njëjtin post, kur presidend ishte Bill Klintoni. Të dy ish-sekretarët udhëhoqën një studim një vjeçar, të kryer nga Komisionit mbi Autoritetin për Luftë Kombëtare.

Zoti Bejker thotë se komisioni beson se Rezoluta mbi Autoritetin për Luftë Kombëtare e vitit 1973, duhet zëvendësuar.

"Ne jemi të mendimit, se sundimi i ligjit, që, natyrisht, është në qendër të themeleve të demokracisë amerikane, minohet dhe dëmtohet kur statuti kryesor në këtë politikë kaq jetike vihet në pikëpyetje, ose injorohet rregullisht."

Ligji i vitit 1973 ishte një përgjigje ndaj Luftës në Vietnam. Zotërinjtë Bej dhe Kristofer thonë se tani ai është i paefektshëm dhe jo kushtetues. Ata thonë se asnjë president nuk e ka njohur kushtetutshmërinë e këtij ligji, Kongresi asnjëherë nuk e ka sfiduar atë dhe Gjykata e Lartë nuk ka marrë asnjëherë vendim mbi atë ligj.

Kushtetuta amerikane përcakton Presidentin si Komandant të forcave të armatosura, por i jep Kongresit fuqinë për të kontrolluar fondet për luftën.

Ligji i propozuar nga komisioni Bejker dhe Kristofer i kërkon Presidentit të konsultohet me Kongresin para se të dërgojë trupa në luftime jashtë vendit, për më tepër se një javë. Po ashtu, ai kërkon krijimin e një Komisioni Konsultimi të Kongresit, me anëtarë të të dyja dhomave të organit ligjvënës. Zoti Kristofer thotë se ligji do ta përfshinte Kongresin në marrjen e një vendimi të rëndësishëm.

"Ky statut i jep Kongresit një vend në tryezën e marrjes së vendimit për të shkuar, apo jo në luftë dhe jo thjesht për të qenë i pranishëm, por përmes një ekipi të përhershëm dhe profesional dhe për të kontrolluar të gjitha informacionet e nevojshme të zbulimit."

Propozimi i Komisionit, po ashtu i bën thirrje Kongresit të miratojë, apo kundërshtojë, brenda 30 ditëve “çfarëdo konflikti të armatosur të përmasave të konsiderueshme”.

Zoti Bejker thotë se plani nuk ka të bëjë me ndonjë konflikt të veçantë, ku janë përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Ish kongresmeni republikan Li Hamilton, anëtar i komisionit, thotë se grupi shpreson që ligji Bejker-Kristofer të miratohet nga Kongresi dhe të nënshkruhet nga Presidenti vitin e ardhshëm.

"Ne mendojmë se ky është një ligj i mrekullueshëm për Presidentin e ardhshëm dhe për Kongresin e ardhshëm, që të vihet shpejt në zbatim, si një shenjë e bashkëpunimit dy-partiak në këtë vend, për një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare."

Një anketim i ri tregon se 79 për qind e amerikanëve mendojnë se Presidentit i duhet kërkuar të marrë më parë miratimin e Kongresit, para dërgimit të trupave në luftime, jashtë Shteteve të Bashkuara.//lk


XS
SM
MD
LG