Lidhje

Organizatë në ndihmë të fëmijëve të ushtarëve amerikanë


Ushtarët amerikanë kanë shtatë vjet që luftojnë në Afganistan dhe pesë vjetë në Irak. Shumë prej tyre janë anëtarë të Gardës Kombëtare që kanë lënë pas fëmijët e pa mësuar me largesat në misione ushtarake të cilët kanë nevojë për mbështetjen dhe kujdesin e më shumë se një prindi. Dy gra në zonën e Washingtonit ngritën një organizatë jo-fitimprurëse, që ndihmon në financimin e aktiviteteve jashtë-shkollore të fëmijëve të mbetur pas.


Shtatë vjeçari Tajler filloi të ndiqte një kurs karateje pasi i jati u largua nga shtëpia. Rreshteri Tyrone Kosa është me Gardën Kombëtare, i dislokuar në Irak që nga gushti. "Më ka marrë malli shumë. Do të doja të luaja futboll me të, të bëja mundje dhe lojra me të."

Nëna e Tajlerit, Xhemi Kosa thotë se angazhimi i 3 fëmijve të saj me aktivitete, i ndihmon ata për ta larguar mendjen nga mungesa e babait. "Bisedojmë hapur. I pyes gjithmonë si ndihen. A kanë merak për të jatin? Dhe sigurisht përgjigja është gjithmonë po, shqetësohem për të."

Geil Kruzel thotë se ajo e kupton situatën. Bashkëshorti i saj u vra në një mision në Bosnje 13 vjet më parë. "E njoh luftën që bëjnë prindërit e vetmuar për të mbajtur fëmijët e tyre të angazhuar në aktivitete dhe në rrugën e duhur."

Për këtë arsye, zonja Kruzel së bashku me Linda Davidson, u përqëndruan tek këta fëmijë dhe filluan një organizatë jofitimprurëse në Washington katër vjetë më parë. Organizata "Fëmijët e Ushtrisë Sonë" jep grante për aktivitetet e fëmijëve të rezervistëve, nga Garda Kombëtare që janë të plagosur rëndë në luftë.

Zonja Davidson thotë se ajo u prek nga historitë e bashkëshortëve, megjithëse vetë nuk ka asnjë anëtar të familjes në ushtri. "Për këtë arsye, u ndjeva e detyruar t'i mbështesja ata dhe t'ua shpërbleja në një farë mënyre detyrimin për sakrificat e mëdha që ata bëjnë për të mbrojtur familjen dhe lirinë time."

Kohët e fundit, organizata "Fëmijët e Ushtrisë Sonë", kapi shifrën e 1 milionë dollrëve në ndihma. Themeluesit e saj thonë se kanë ndihmuar rreth 3 mijë fëmijë.

Përsa i përket familjes Kosa, Aubri, motra e Tajlerit po mëson të ecë me kalë, duke plotësuar kështu një dëshirë të hershme. Ndërsa motra tjetër Noel merr mësime për dramë. "Programi na ndihmon shumë. Shumë më tepër sesa mendova fillimisht dhe bëhet shumë më tepër punë nga çfarë e mendoja."

Kënaqësia më e madhe, thotë zonja Kruzel janë letrat dhe telefonatat nga prindërit që flasin për ndryshimin që sollën dy gra në jetët e fëmijëve që jetojnë me shqetësimin e nënave dhe baballarëve në luftë. //ad//

XS
SM
MD
LG