Lidhje

Kosovë: Shkarkohet nga detyra Zëvendës ministri i Tregtisë dhe Industrisë


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shkarkoi sot nga detyra Zëvendës ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Naser Osmanin.

Vendimi për shkarkimin e zotit Osmani, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasoi një përplasje në mbledhjen e sotme të Parlamentit ndërmjet tij dhe Ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj. Përplasja ishte rrjedhojë e mosmarrëveshjeve rreth Organit Shqyrtues të Prokurimit. Përplasja shkaktoi ndërprerjen e punimeve të Parlamentit, ndërsa kryeministri Thaçi vendosi shkarkimin e zotit Osmani.

Ky është rasti i parë i shkarkimit të një anëtari të qeverisë në Kabinetin e zotit Thaçi dhe përplasja e parë serioze ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës. Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës arritën një marrëveshje për krijimin e koalicionit qeverisës në fillim të këtij viti pas rezultateve të zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit të kaluar.


Partia Demokratike për herë të parë, doli fituese në zgjedhje, duke lënë në vendin e dytë rivalen e vjetër, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila është udhëhequr nga presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, për 16 vjet me radhë. Marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy partive ishin mjaft të tendosura deri në zgjedhjet e fundit, pas të cilave ato u shndërruan në partnerë të koalicionit qeverisës.//lk

XS
SM
MD
LG