Lidhje

Në Kosovë fillon zyrtarisht ristrukturimi i UNMIK-ut


Misioni i Kombeve të Bashkuara fillon që nga sot procesin e kalimit të përgjegjësive tek institucionet e vendit dhe misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë i njohur me emrin EULEX.

Shefi i ri i UNMIK-ut Lamberto Xanier tha se me këtë fillon procesi i ristrukturimit të këtij mision, në bazë të planeve të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon. Ky i fundit javën e kaluar shpalli synimin për shkurtimin e UNMIK-ut dhe krijimin e hapësirës për vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Unë e mora dritën jeshile kaq gjatë të pritur nga Nju Jorku, për të filluar me ristrukturimin e UNMIK-ut. Tash janë krijuar kushtet për të filluar periudhën 120 ditëshe të ri konfigurimit të operacioneve dhe ne presim fundin e tetorit për të përmbyllur këtë proces. Kjo do të çojë në shkurtimin thelbësorë të strukturave të UNMIK-ut në ndryshimin e rolit të tij në pajtim me realitetin në terren dhe me rolin që do të luajnë mekanizmat tjerë në terren”, tha zoti Xanieri.

Ai theksoi se këto çështje po i debaton edhe me Misionin e Bashkimit Evropian, KFOR-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.


Ndryshimi i UNMIK-ut është mirëpritur nga Prishtina, ndërsa është kundërshtuar nga Beogradi dhe Moska zyrtare. Ky Kundërshtim ka bërë që UNMIK-u të vazhdojë të mbetet në Kosovë edhe pas përfundimit të periudhës së re kalimtare 120 ditëshe.

Beogradi dhe serbët e Kosovës kundërshtojnë ndryshimet në Kosovë


Beogradi dhe serbët e Kosovës kundërshtojnë pavarësinë e vendit dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës së saj më 15 qershor. Si kundërpërgjigje ata kanë paralajmëruar për të shtunën krijimin e Parlamentit të bashkësive të komunave të Kosovës për të penguar, siç thuhet, krijimin e një shteti të ri shqiptar në Ballkan. Zoti Xanier tha se nuk dëshiron të dramatizojë këtë çështje por do ta përcjellë me kujdes për të parë veprimet e mëtejme të atij Parlamenti.

“Nuk do të ketë ndonjë rol operacional dhe është më shumë një veprim simbolik që nuk e ndryshon realitetin në terren. Natyrisht në do ta ndjekim dhe të shohim se çfarë do të thuhet dhe bëhet, por nuk më duket se mund të ketë ndonjë ndikim”, - tha zoti Xanier.


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, ndërkaq e cilësoi të paligjshëm këtë Parlament dhe strukturat që dalin nga veprimet e paligjshme të një pjese të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb.

"Mund te them se janë struktura ilegale dhe të papranueshme për Institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare dhe se dihet përpjekja e tyre për të destabilizuar Kosovën. Unë mendojnë se qytetarët e Kosovës e kanë parasysh këtë qasje që e ka kjo pjesë e serbëve, nuk them të gjithë por kjo pjesë e serbëve dhe të mbesin në vizionin, në ecjen dhe zhvillimet që kemi pasur deri tash për të mbajtur stabilitetin e vendit. Natyrisht që nuk na vjen mirë pse ndodhin këso qasjesh krahas krejt ofertave që janë më gjeneroze të mundshme”, tha presidenti Sejdiu.


Shefi i UNMIK-ut paralajmëroi një vizitë të shpejtë në veriun e Kosovës, skenë e kundërshtimeve të ashpra ndaj pavarësisë së vendit, ndërsa është në pritje të formimit të qeverisë së Beogradit për të filluar siç thuhet lehtësimin e dialogut për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët. Kjo është edhe një nga detyrat themelore që i mbetet UNMIK-ut në këto katër muajt e periudhës së re kalimtare në Kosovë.//lk

XS
SM
MD
LG