Lidhje

Freedom House: Koalicioni qeveritar në Shqipëri ka shfaqur prirje për të mbajtur nën kontroll institucionet e pavarura


Në raportin vjetor "Vendet në Tranzicion", Organizata Freedom House thotë se megjithë përmirësimet në Shqipëri, duket se ky vend ka ende rrugë të gjatë për të bërë drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Raporti që u bë publik, sot analizon ngjarjet e vitit 2007. Ndërkohë Kosova, është radhitur e fundit ndër vendet e rajonit të Ballkanit.


Freedom House arrin në përfundimin se gjatë vitit 2007, koalicioni qeveritar në Shqipëri kishte shfaqur prirjen për të mbajtur nën kontroll institucionet e pavarura, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe zyrën e Avokatit të Popullit, përmes emërimit të figurave të lidhura ngushtë me të, si edhe nga dështimi i opozitës për ta shfrytëzuar këtë prirje në favor të saj.

Kris Uoker, drejtori i studimeve në organizatët Freedom House i tha Zërit të Amerikës se prirja e elitave politike për të mbizotëruar, vihet re në shumë vende të rajonit:

"Mendoj se në rastin e Shqipërisë kemi identifikuar sfida të ngjashme, figura mbizotëruese me pushtet dhe elita politike që në një mënyrë apo një tjetër e përdorin pozitën e tyre për të frenuar zhvillimin që do të ishte shumë i vlefshëm në kuptimin më të gjerë të shoqërisë, për të pasur institucione më të forta që të krijojnë një mjedis ku të mbahet përgjegjësi para qytetarëve dhe për të krijuar rrethanat më të përshtatshme për rritje ekonomike afatgjatë”- tha ai.

Një nga problemet më të mprehta dhe serioze që përmendet në raport, është reforma në drejtësi. Megjithëse ekziston kuadri ligjor dhe kushtetues për një sistem të pavarur, në raport thuhet se organizimi dhe funksionimi i saj kanë probleme. Ritmi i reformave ishte i ngadaltë në vitin 2007, dhe në raport thuhet se në vend që të kishte një strategji të qartë për një drejtësi efikase, profesionale, të pavarur dhe të përgjegjshme, qeveria u përfshi në retorika të ashpra, duke fajësuar sistemin e drejtësisë si pengesën kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Korrupsioni është pika tjetër kritike që përmendet në raport, ku thuhet, se megjithë përmirësimin e legjislacionit, klima për biznesin nuk është shumë e favorshme dhe korrupsioni shihet si një nga faktorët që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe investimet. Në përgjithësi, thuhet në raport, viti 2007 tregoi se megjithëse qeveria aktuale erdhi në pushtet me platformën e anti-korrupsionit, ajo nuk është e paprekshme prej tij.

Ballkani Jugor, thuhet në raport, përbën sfidën më të konsiderueshme përsa u takon reformave dhe Kosova radhitet e fundit mes këtyre vendeve me një diferencë të dallueshme.

Megjithëse raporti bën fjalë për vitin 2007, kur nuk ishte shpallur pavarësia, aty thuhet se qeveria e Kosovës duhet të marrë masa për të luftuar ndaj dobësisë së sistemit të drejtësisë, korrupsionit shumë të përhapur dhe për të zbutur tensionet me pakicën serbe.//lk


XS
SM
MD
LG