Udhëheqësi i opozitës në Zimbabve, Morgan Çangërai u tërhoq nga balotazhi i së premtes kundër presidentit Robert Mugabe, duke thënë se dhuna kundër partisë së tij e bën të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve të drejta.
Duke iu drejtuar gazetarëve sot në Harare, zoti Çangërai tha se partia e tij nuk mund t'u kërkojë përkrahësve të votojnë kur kjo votë do t'u kushtonte jetën.
Ai i cilësoi zgjedhjet si një "mashtrim i dhunshëm e i paligjshëm" madje e akuzoi presidentin Robert Mugabe për vrasjen gjatë javëve të fundit të 86 përkrahësve të partisë së tij, Lëvizja për Ndryshime Demokratike.
Nuk pati reagime të menjëherëshme nga presidenti Mugabe, por ministri i Drejtësisë, Patrik Çinamasa, tha se zoti Çangërai u tërhoq sepse ai përballej me një humbje të sigurtë.
Zyrtart thanë se balotazhi do të zhvillohet sipas planit dhe do të anullojnë vetëm nëse zoti Çangërai njofton zyrtarisht komisionin e zgjedhjeve për tërheqjen e tij nga gara.
Udhëheqësi i opozitës tha se do ta njoftojë vendimin e tij të mërkurën.
Ndërkohë Shtëpia e Bardhë kërkon nga qeveria e Zimbabvesë që të ndalë menjëherë dhunën që lidhet me zgjedhjet, pasi udhëheqësi i opozitës Morgan Çangërai u tërhoq nga gara e balotazhit.
Një
zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë bëri deklaratën ku ndër të tjera thuhet se
qeveria e Zimbabvesë po përdorte hajdutë për të frikësuar kundërshtarët
politikë.
Zëdhënësi tha se të gjitha palët duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos bëhen objekt i asaj që ai i quajti veprime të paligjshme të qeverisë, milicive të armatosura dhe të ashtuquajturve veteranë të luftës.//IB