Lidhje

Banka Botërore, fonde për situatat emergjente në Shqipëri


Bordi i drejtorëve të Bankës Botërore miratoi sot një kredi dhe një hua për projektin e situatave emergjente të shkaktura nga fatkeqësitë natyrore dhe veprimtaria e njeriut, qëllim i të cilit është shmangija e humbjeve njerëzore, ekonomike dhe financiare si rezultat e këtyre kushteve.

Sipas zyrtarëve të Bankës Botërore, ky projekt përbën fazën e parë të një programi huash për Shqipërisë gjatë një periudhe 3-vjeçare, që do të financohet nëpërmejt një kredie 6.2 milionë dollarësh nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit dhe një hua prej 3 milionë dollarësh nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtimin dhe Zhvillimin.

Koordinatorja e Programit, Alison Cave, thotë se ky projekt është i pari në kuadrin e programit për të përballuar fatkeqësitë natyrore dhe njerëzore në rajonin e Evropës Juglindore.

Projekti do të ketë katër komponente kryesore: Përgatitjet për përballimin e situatave emergjente, forcimin e shërbimeve hidro-meteorologjike, hartimin e kodeve të ndërtimit të banesave dhe siguracionet në raste katastrofash.

Projekti do të vihet në zbatim nga Ministria e Brendëshme dhe agjenci të tjera, përfshirë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, si dhe Instituti i Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Projekti për përballimin e fatkeqësive natyrore dhe njerëzore është pjesë e një programi për vendet e Evropës Juglindore.

Shqipëria iu bashkua Bankës Botërore në vitin 1991. Banka Botërore ka investuar në Shqipëri që prej atëhere rreth 966 milionë dollarë për 66 operacione.

XS
SM
MD
LG