Presidenti Xhorxh Bush u kthye mbrëmë vonë në Uashington, duke i dhënë fund një turneu 1 javor në disa kryeqytete të vendeve evropiane.
Në ndalesën e tij të fundit dje në Belfast të Irlandës së Veriut, Presidenti Bush u takua me kryeministrin britanik, Gordon Braun. Zoti Bush lavdëroi përparimin e bërë drejt ripajtimit mes katolikëve dhe protestantëve. Ai vlerësoi gjithashtu lart qeverinë e Irlandës së Veriut.
Më parë në Londër, kryeministri Braun bëri të ditur një seri masash, që kanë për qëllim të mbështesin nismat e re të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s në Afganistan si dhe koalicionin e udhëhequr nga Amerika në Irak. Ai njoftoi gjithashtu sanksione të reja ndaj Iranit.
Vizitën e tij në Evropë, presidenti e filloi javën e kaluar në Slloveni, ku ai bashkë me udhëheqës evropianë zhvilluan një konferencë me synimin për të përforcuar aleancën amerikano-evropiane. Presidenti mori pjesë gjithashtu në festimet me rastin e 60 vjetorit të Planit Marshall, në bazë të të cilit Shtetet e Bashkuara dhanë ndihma rindërtimi për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore.
Zoti Bush dhe
bashkëshortja e tij, Laura, vizituan gjithashtu Gjermaninë, Italinë, Vatikanin
dhe Francën. (ze)