Kandidati demokrat për President Barak Obama thotë se nëse zgjidhet president ai ka në plan t'i bëjë studimet universitare të përballueshme financiarisht për të gjithë.
Duke folur para studentëve në një universitet lokal në Miçigan, zoti Obama paraqiti disa nisma përfshirë një ndihmë shtetërore prej 4 mijë dollarësh në formën e lehtësimit të taksave për studentët që nuk janë në gjendje të paguajnë për studimet universitare. Ai tha gjithashtu se do të kërkonte që huatë për studentët të jepen nga qeveria federale.
Senatori Obama tha se për të përfituar ndihmën prej 4 mijë dollarësh, studentët do të kishin disa detyrime, përfshirë 100 orë punë vullnetare në të mirë të komunitetit.
Të hënën, ish-nënpresidenti amerikan Al Gore shprehu mbështetjen për zotin Obama, duke thënë në Detroit të Miçiganit se ai është kandidati që do ta udhëhiqte vendin drejt një të ardhmeje më të mirë.
Kandidati republikan Xhon Mekejn bën të martën fushatë në Teksas.