Lidhje

Hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës


Katër muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sot hyn në fuqi kushtetuta e saj e cila e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe të pandashëm. Republika e Kosovës është shtet laik, shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, thuhet në tekstin e Kushtetutës me hyrjen në fuqi të së cilës fillon dhe zbatimi i planit të ish krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.

Simbolikisht, presidenti i vendit Fatmir Sejdiu hodhi firmën e tij në pakon e ligjeve që dalin nga ky plan dhe që janë miratuar me shpejtësi nga Parlamenti i Kosovës. Presidenti Sejdiu tha sot se pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, dita e sotme është më e rëndësishmja për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

"Unë mendoj se është një moment historik për Kosovën. Edhe koha e kushtetutës si veprimi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrja e saj ën fuqi sot, e që shënon njëkohësisht përmbylljen e ciklit shtet formues",tha presidenti Sejdiu.

Edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi e vlerësoi si historike ditën e sotme jo vetëm për Kosovën.

“Është një ngjarje e shënuar për të gjitha institucione e Kosovës, është po ashtu një ngjarje shumë e shënuar për qytetarët e Kosovës dhe njëkohësisht është ngjarje e shënuar edhe për aleatët, miqtë e Kosovës të cilët na kanë përcjellë, na kanë ndihmuar, dhe i kemi koordinuar shumë procese shumë punë gjatë këtyre viteve, e në mënyrë të veçantë gjatë këtij viti”,tha zoti Krasniqi.

Mbështetja amerikane për Kushtetutën

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel, tha sot në Prishtinë se hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës është një datë e rëndësishme edhe për angazhimin e tij në krah të Kosovës për një periudhë 20 vjeçare. Zoti Engel që njihet si një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes së çështjes së Kosovës është një nga mysafirët e nderit në ceremoninë e sotme që do të mbahet në Prishtinë me rastin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.

I shoqëruar me ligjvënësen nga Ohio, Jean Shmit, ligjvënësi Engel, i siguroi sot qytetarët dhe udhëheqësit e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme amerikane.

“Dua t’ju sigurojë se mbështetja për Kosovën nga populli dhe qeveria amerikane është e fuqishme, do të jetë e tillë dhe në do të jemi gjithmonë aty për t’ju ndihmuar, për të punuar krah për krah me ju si partnerë, si miq dhe si njerëz liridashës",tha ligjvënësi Eliot Engël.

Ndërsa republikania nga Ohio, Jean Shmidt tha se "Shtetet e Bashkuara janë lindur nga trimëria, por edhe gjakderdhjet e mëdha, para shumë vjetësh."Edhe ju sot, do të fitoni Kushtetutën, pas shumë gjakderdhjeve dhe trimërisë",

Beogradi kundërshton Kushtetutën e Kosovës

Hyrja në fuqi e Kushtetutës së vendit kundërshtohet ashpër nga Beogradi dhe serbët e Kosovës që nuk janë pajtuar me pavarësinë e saj. Presidenti i Serbisë Boris Tadic ka deklaruar sot se Serbia nuk e pranon Kushtetutën e Kosovës dhe se do të kërkojë vazhdimin e bisedimeve për të ardhmen e Kosovës. Sipas tij shpallja e Kushtetutës së Kosovës është një veprim politik me pasoja afatgjata. Ministri serb për Kosovën Sllobodan Samarxhic i cili po qëndron në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe ka paralajmëruar se si kundërpërgjigje ndaj Kushtetutës së Kosovës serbët do të mbledhin më 28 qershor Parlamentin serb të Kosovës.

Kundërshtimi serb ndaj Pavarësisë por edhe vendosjes së misionit të Bashkimit Evropian me mbështetjen e Moskës zyrtare ka bërë që edhe më tej në Kosovë të mbetet Misioni i Kombeve të Bashkuara i cili do të duhej të përmbyllte sot administrimin 9 vjeçar të Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon ka planifikuar ri konfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare por ende nuk është sqaruar në tërësi mandati i UNMIK-ut dhe misionit të Bashkimit Evropian për policinë e drejtësinë i njohur me emrin EULEX.

Kjo do të vështirësojë shtrirjen e autoritetit të institucioneve vendase në tërë Kosovën dhe presidenti i vendit Fatmir Sejdiu pranon se procesin e presin shumë sfida.

"Natyrisht se ka disa pjesë praktike të problemeve me të cilat Kosova ende ballafaqohet, por mendojmë se me funksionimin aktiv të institucioneve të Kosovës dhe me bashkëpunimin edhe të mekanizmave ndërkombëtarë që kanë për borxh një aspekt të veçantë, aspektin e sigurisë, që të ndihmojnë institucionet e Kosovës dhe aspektin e sundimit të ligjit, ka të bëjë po ashtu edhe me atë që ne e quajmë një punë tepër aktive dhe të përgjegjshme në sigurinë edhe të integritetit të Kosovës",theksoi presidenti Sejdiu.

Masa shtesë të sigurisë

Autoritetet thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet për hyrjen në fuqi të Kushtetutës, ndërsa Shërbimi policor i Kosovës, po zhvillon një operacion me emrin e koduar “Kushtetuta”. Zëdhënësi i këtij Shërbimi Veton Elshani thotë se për faktin se hyrja në fuqi e kushtetutës shënon një datë të rëndësishme për Kosovën mund të priten edhe reagime nga qytetarët e pakënaqur me veprimet e institucioneve të vendit.

“SHPK ka punuar planin operativ të quajtur Kushtetuta e që nuk është diçka i jashtëzakonshëm. Zakonisht, kur kemi data të rëndësishme si kjo e sotme Shërbimi Policor i Kosovës, planifikon, organizon dhe i vë në veprim planet tona. Zakonisht, ato shkojnë në kuadër të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe në kuadër të ruajtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve ët Kosovës”,tha zoti Elshani.

Masa të shtuara të sigurisë janë marrë edhe nga trupat paqeruajtëse të NATO-s që kane vendosur forca shtesë posaçërisht në veriun e Kosovë, skenë e kundërshtimeve të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.

Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës shënon fillimin e një periudhe të re të zhvillimeve politike pas së cilës Prishtina pret shtimin e numrit të vendeve që do të njohin pavarësinë e saj. Deri tash këtë e kanë bërë 43 vende të botës përfshirë vendet më të fuqishme të

Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, roli i të cilave në procesin politikë në Kosovë këtu cilësohet i pazëvendësueshëm.//IB

XS
SM
MD
LG