Letra që sekretari i përgjithshëm i OKB-së i dërgoi udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë lë te kuptohet se roli i UNMIK-ut megjithëse do të fillojë të bjerë, nuk do të shuhet. Një ndër pikat e paraqitura në letër, është edhe çështja e mardhënieve të Serbisë me serbet e Kosovës. Sipas disa analistëve, bashkësia ndërkombëtare e ka pranuar në një farë mënyre qeverisjen serbe në veri të Kosovës dhe e ka shumë të vështirë që ta kthejë procesin prapa duke bërë që integrimi i serbëve të Kosovës të jetë sfida më e madhe për udhëheqjen kosovare. Kolegu ynë Ilir Ibrahimi bisedoi me analistin Daniel Serwer.
Serbët e Kosovës e pritën shpalljen e pavarësisë me protesta dhe me një radikalizim të mëtejshëm të gjendjes në pjesën veriore. Administrata ndërkombëtare nuk arriti asnjëherë të vendosë pushtet të plotë në këtë pjesë të Kosovës. Kur serbët në Mitrovicë morrën nën kontroll gjykatat dhe kur autoriteti ndërkombëtar reagoi për t’i rimarrë ato, situata përfundoi me gjakderdhje.
Letra e Sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Mun edhe pse parashikon rënien e rolit të UNMIK-ut, lë shumë paqartësi se si do të arrihet të vendoset pushteti i Republikës së Kosovës në veri të saj. Analisti Daniel Serwer thotë se kohët e fundit shohim një konsolidim të mëtejshëm të ndarjes së veriut të Kosovës.
"Tani jemi duke parë një ndarje de fakto të konsoliduar. Është e qartë se Moska dhe Beogradi po përpiqen ta arrijnë një gjë të tillë dhe kjo është shumë për të ardhur keq sepse në një mënyrë apo tjetër kjo do të sjellë probleme dhe dhunë."
Por një ndër argumentet kundër ndarjes ka qenë se shumica e serbëve jetojnë në jug të lumit Ibër dhe një shkëputje e veriut do ta linte shumicën e serbëve të Kosovës nën qeverisjen e Prishtinës.
” Është shumë e qartë se Beogradi nuk e ka vrarë mendjen kurrë për shumicën e serbëve dhe është i gatshëm që pak a shumë ta braktisë shumicën serbe në Kosovë. Kjo është e çuditshme sepse jo vetëm që shumica e serbëve jetojnë në jug të lumit Ibër por edhe shumica e monumenteve serbe janë në jug."
Një problem tjetër, thotë zoti Serwer, është Lugina e Preshevës sepse shqiptarët e atjeshëm mund të marrin shkas nga realiteti i veriut të Kosovës dhe të bëjnë të njëjtën gjë.
” Problemi i vërtetë sipas mendimit tim është Serbia jugore dhe mundësia që shqiptarët ekstremistë të marrin si shembull Kosovën e veriut dhe të ndërmarrin hapa të njëjtë. Kjo do të ishte për të ardhur keq sepse do të çonte në rifillimin e dhunës në Ballkan.”
Rusia, thotë zoti Serwer, e cila i shiti Serbisë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit në shkëmbim të një pjese të mirë të sistemit serb të energjisë, vazhdon të ketë një ndikim të madh në Beograd. Ai thotë se Rusia duhet ta shfrytëzojë këtë ndikim për të stabilizuar Ballkanin. Por si mund të ndikonin vendet perendimore që Rusia të mbajë një qendrim më konstruktiv?
” Vetëm nëse do të ishin të gatshme të paguanin diçka, thotë zoti Serwer."
Në këtë situatë të ndërlikuar, thotë analisti, udhëheqësit kosovarë duhet ta përqëndrojnë vëmendjen në gjërat që janë me të vërtetë të rëndësishme për qytetarët si vendet e punës, zhvillimin ekonomik dhe përgjithsisht një jetë më të mirë. Përsa u përket serbëve të Kosovës, zoti Serwer thotë se Prishtina duhet të vazhdojë ta mbajë derën e hapur dhe t’i bëjë ata ta pranojnë shtetin e ri.