Një pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës dhe një person i
paidentifikuar janë plagosur mbrëmë në një shkëmbim zjarri në qytetin e
Mitrovicës.
Zyrtarë të policisë thanë se një person i panjohur i është afruar stacionit të policisë në pjesën jugore të qytetit dhe ka shtënë me armë zjarri duke plagosur një oficer të policisë. Oficerët janë kundërpërgjigjur duke plagosur sulmuesin.
Të dy janë duke u trajtuar në spitalin e
Prishtinës. Tani për tani policia nuk di asgjë për identitetin e
sulmuesit dhe as motivet e sulmit. Qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë
i ndarë në dy pjesë; në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe veriun
me shumicë serbe. Që nga përfundimi i luftës qyteti ka qenë burim
tensionesh që pasqyrojnë ndarjet e thella etnike.