Lidhje

Protestat për çmimet e naftës përhapen në të gjithë botën


Çmimi i naftës ka rënë më shumë se katër dollarë që nga e premtja e kaluar, kur çmimet arritën një rekord të ri - 139 dollarë për fuçi. Konsumatorët në Azi dhe Evropë janë shumë të shqetësuar, dhe protestat kundër rritjes së çmimit të naftës po përhapen në të gjithë botën.

Në Indinë lindore, protestues të zemëruar përmbysën karroca dhe makina për të treguar pakënaqësinë e tyre. Disa protestues rrahën njerëz që ata të mos përdorin automjete. Organizatorët e protestës e akuzojnë qeverinë se po injoron nevojat e qytetarëve të saj ndërsa mbron fitimet e kompanive shtetërore të naftës.

Udhëheqësi i partisë Baratija Janata, Arjun Munda, thotë se partia në pushtet e ka humbur autoritetin e saj moral. “Unë kërkoj që ata të japin dorëheqjen sepse Partia Aleanca e Bashkimit Progresist po e shtyp njeriun e zakonshëm.”

Në Spanjë, një protestë nga kamionistët e vendit të hënën thuajse e la vendin në plogështi të plotë. Disa përdorues automjetesh thanë se kamionistët nuk sjellin më furnizime benzine, duke bërë që disa nga pikat e karburantit në Madrid të mbesin bosh. “Erdha të mbush makinën dhe nuk ka asnjë lloj karburanti. Do të më duhet të shkoj diku tjetër.”

Shoqata spanjolle e transportit thotë se 90 mijë kamionistëve u është kërkuar të marrin pjesë në grevën që vazhdon për çmimet e larta të naftës. Kamionisti Karlos Kampoi thotë se nuk kanë zgjidhje tjetër meqenëse aty varet jetesa e tyre. “Kjo është si thirrje për luftë. Ne nuk duhet të heqim dorë që në fillim. Ky është plumbi i fundit. Nëse nuk zgjidhet tani atëherë kemi humbur.”

Në Nepal, rritje të mëdha në çmimin e naftës dhe vajit të gatimit kanë rritur çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera të konsumit bazë aq sa nuk mund të përballohen nga disa qytetarë. Megjithëse protestat në rrugë ishin kryesisht paqësore, autoritetet thonë se këto lloj tubimesh mund të bëhen të dhunshme shumë shpejt.

Të martën në Hong Kong nuk kishte dhunë, por kishte shumë trafik dhe thirrje. Qindra demonstrues bllokuan trafikun në qytet ndërsa marshonin drejt ndërtesave të qeverisë. Televizioni shtetëror tha se disa protestues i lanë kamionët në mes të rrugëve të mbushura duke shkaktuar bllokime të rënda trafiku në distriktin financiar të qytetit. Një zëdhënës i shoferëve të autobusëve të Hong Kongut tha se shoferët janë të zemëruar sepse qeveria kishte ulur taksat e verës, por kishte vazhduar të ngrente taksat e naftës.

Ndërsa në Francë, ku qytetarët po i kthehen gjithnjë e më tepër transportit publik për të vajtur në punë, vonesat e mëdha të shkaktuara nga grevat e punëtorëve të trenave bënë që disa parizienë të përdornin mënyra të tjera transporti. Disa iu kthyen mënyrës më të lirë dhe të besueshme – ecjes në këmbë. //bsa//

XS
SM
MD
LG