Lidhje

Serbët e veriut të Mitrovicës përurojnë Kuvendin paralel të komunës, Prishtina reagon


Përfaqësuesit politikë të serbëve në veriun e Mitrovicës mblodhën sot Kuvendin Komunal të këtij qyteti, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit, që u organizuan nga Beogradi, me gjithë mospajtimin e institucioneve vendase e ndërkombëtare në Kosovë.

Përurimi i këtij Kuvendi shënon fillimin e ngritjes së strukturave paralele administrative serbe në zonat e banuara me pjesëtarë të këtij komuniteti. Kuvendi përbëhet nga deputetët e Partisë radikale serbe e cila mori numrin më të madh te votave në zgjedhjet e 11 majit si dhe Partisë Demokratike serbe dhe asaj socialiste.

Mbledhja e këtij kuvendi ndoqi modelin e formimit të pushtetit në Beograd, i përbërë nga partitë e krahut nacionalist. Në mbledhjen e sotme u paralajmërua edhe krijimi i Parlamentit të përkohshëm serb të Kosovës, i cili sipas përfaqësuesit te partisë Radikale Lubomir Kragoviç, duhet të mblidhet deri më 15 qershor, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Ai tha se Parlamenti do të ketë 45 delegatë, nga të cilët 43 do të zgjidhen nga deputetët e Kuvendeve komunale, ndërsa dy vende janë të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve myslimane e rome.

“Formimi I këtij Parlamenti do të ishte një përgjigje e popullit serb ndaj pavarësisë së Kosovës dhe hapave të tjerë sic është paralajmërimi I hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës”, - tha Lubomir Kragoviç, duke u bërë thirrje qeverisë dhe Parlamentit të Serbisë, që të japin udhëzimet për veprimet e mëtejshme.

Ai tha se Beogradi duhet të shpallë brenda një periudhe prej tre deri në gjashtë muaj zgjedhjet për pushtetin qendror në Kosovë. Pjesëtarët e komunitetit serb nuk janë pajtuar me pavarësinë e Kosovës, ndërsa kundërshtimet më të ashpra kanë ndodhur në pjesën veriore të vendit.

Një pjesëtar i policisë së Kombeve të Bashkuara humbi jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë trazirave të dhunshme të 17 marsit në veriun e Mitrovicës, ndërsa më herët prej andej u larguan edhe pjesëtarët e Misionit të Bashkimit Evropian për shkak të incidenteve të dhunshme. Serbët nuk e pranojnë këtë mision e as planin e zotit Martti Ahtisaari, që parasheh krijimin e dy komunave në qytetin e ndarë të Mitrovicës, sipas planit për decentralizimin e pushtetit, i cili parasheh krijimin e komunave të reja në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë.

Reagime në Prishtinë ndaj institucioneve paralele serbe

Autoritetet në Kosovë thanë sot se institucionet komunale të dala nga zgjedhjet serbe të 11 majit, janë të paligjshme dhe nuk kanë fuqi për vendimmarrje në Kosovë.

Duke reaguar ndaj mbledhjes së sotme të Kuvendit komunal të serbëve në veriun e Mitrovicës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, tha se qytetarët serbë të Kosovës i kanë organet komunale ekzistuese në bazë të zgjedhjeve të kaluara në Kosovë, të cilat kanë mandatin deri më 18 qershor, deri kur do të duhej që mandati i tyre të ripërtërihej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara.

"Mendoj se ky konstituim është jolegal dhe nuk do të ketë fuqi legale për funksionim dhe as institucionale. Është një orvatje për vazhdimësinë e punës së organeve paralele, por besoj se në Kosovë do të sundojë rendi dhe ligji dhe qeveria do të bëjë çdo gjë që është në dorën e saj, që të shtrijë autoritetin dhe në Kosovë të ketë funksionalizim të institucioneve të dala vetëm nga zgjedhjet demokratike të ndërtuara dhe të shpallura nga organet kompetente të republikës së Kosovës", - tha ai.

Sipas zëvendëskryeministrit Kuqi, udhëheqësit e serbëve të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, të cilat Beogradi i organizoi edhe ne Kosovë, do të jenë përfaqësues në kuptimin politik të tyre, por jo institucional, prandaj sipas tij, nëse ata dëshirojnë që të jenë përfaqësues institucional, ata duhet të kalojnë përmes mekanizmave të zgjedhjeve që organizon Republika e Kosovës.

Zoti Kuqi tha se Qeveria e Kosovës do të bashkërendojë veprimet e saj me faktorin ndërkombëtar për hapat e mëtejmë, por tërhoqi vërejtjen, se pretendimet e qytetarëve serbë për të formuar institucione paralele në Kosovë nuk do të realizohen.

Zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, përsëritën ndërkaq qëndrimin, se zgjedhjet serbe dhe rezultatet e tyre janë të paligjshme. Rasel Giki, zëdhënës i UNMIK-ut, tha se institucionet komunale serbe janë të paligjshme dhe të papranueshme, për faktin se dalin nga zgjedhjet lokale serbe të cilat janë mbajtur në kundërshtime rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit.

“Qëndrimi unë nuk ka ndryshuar. Ne nuk i njohim institucionet paralele, të cilat kanë dalë nga zgjedhje të paligjshme, dhe të cilat nuk kanë qenë të autorizuara nga Përfaqësuesi i Posacëm i Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë vetëm me institucione të ligjshme", - tha zëdhënësi i Giki.

Edhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Piter Feith, ka tërhequr vërejtjen se nuk mund të lejohet veprimi i strukturave paralele që e dëmtojnë pavarësinë e vendit dhe autoritetin e qeverisë qendrore në Kosovë.//lk

XS
SM
MD
LG